Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), e cila ka në autoritet privatizimin dhe shitjen e ndërmarrjeve shoqërore, as për 18 vjet që nga fillimi i punës së saj, nuk ka arritur ta rregullojë çështjen e aseteve të ndërmarrjeve që gjenden jashtë Kosovës.
AKP-ja ka në evidencë 163 prona shoqërore, që ju përkasin ndërmarrjeve shoqërore të ndryshme nëpër shtete të dala nga ish-Jugosllavia. Prej 163 pronave shoqërore, shumica janë lokale dhe zyre.
Në bazë të ligjit, këto prona duhet të administrohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Në një përgjigje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë nga Zyra për Informim e AKP-së, thuhet se procesi i posedimit faktik dhe juridik i 163 pronave të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës, të cilat gjenden në vendet e ish-Jugosllavisë, për Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), po paraqet një sfidë të madhe.
“Mbetet sfidë jo e lehtë për AKP-në dhe ndërmarrjet shoqërore, duke marrë parasysh rrethanat shumëvjeçare të zhvillimeve politike dhe kornizës ligjore të shteteve përkatëse”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.
Gjatë kësaj periudhe, kjo Zyrë thotë se, me përjashtim të Republikës së Serbisë, shtet në të cilin AKP-ja pengohet të ketë qasje ligjore në dokumentacionin administrativ dhe procedura tjera ligjore, në shtetet tjera, AKP-ja zhvillon në vazhdimësi procedura administrative dhe gjyqësore, në emër të ndërmarrjeve shoqërore, për posedim ligjor të këtyre pronave.
Së fundmi, Kosova ka nisur procedurat gjyqësore për kthimin e një prone, e cila gjendet në Malin e Zi. Bëhet fjalë për parcela në shëtitoren përgjatë plazhit të Beçiqit, ku dikur ndodhej një vend-pushimore për fëmijë.
Autoritetet në Kosovë, thonë se po synojnë kthimin e pronës së blerë gjashtë dekada më parë. Avokati i Përgjithshëm i Shtetit të Kosovës, Sami Istrefi, ka thënë se konform legjislacionit të Malit të Zi, kanë ushtruar një padi për vërtetim pronësie dhe masë sigurie për atë pronë.
Hajdari: Marrëveshje bileterale mes shteteve për çështjen e pronave
Ish-drejtori menaxhues në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Ekrem Hajdari, thotë për Radion Evropa e Lirë se AKP-ja nuk ka mundur përmes procedurave ligjore administrative, as të kthejë e as të lirojë pronat e ndërmarrjeve të Kosovës, jashtë shtetit.
Ai tregon se kishin krijuar edhe një departament të veçantë për trajtimin e këtyre çështjeve, por që nuk kishin arritur të kenë ndonjë sukses.
AKP-ja shton Hajdari, nuk e ka fuqinë e duhur ligjore e as mundësitë që të ndjekë këto raste në mënyrë të duhur, nëpër gjykatat gjegjëse në këto vende ku janë pronat e Kosovës.
Për këtë arsye, ai thotë se kjo duhet të rregullohet përmes niveleve qendrore të shteteve.
“Mendoj që kjo duhet të rregullohet në nivel qeveritar, në nivel dy shteteve me marrëveshje bilaterale, duke bërë një balancim të pronave dhe pretendimeve që ka Kosova me Malin e Zi, apo me shtetet ku janë pronat e Kosovës”, thotë ai.
Ai kujton se në kohën kur drejtonte AKP-në, në takimet zyrtare, që kanë pasur me ato shtete, ka ekzistuar gatishmëria dhe ka pasur edhe propozim, që këto çështje t’iu lihen në dorë niveleve qendrore.
“Shumë shpesh gjykatat nuk i kanë dhënë trajtim të barabartë lëndëve të AKP-së dhe përfaqësuesve ligjorë të AKP-së. Gjithmonë jemi ndjerë të nënçmuar gjatë këtyre procedurave dhe proceseve gjyqësore. Pse të harxhohet mund e mjete financiare ku, me një vlerësim të duhur të këtyre pronave, ulen i sinkronizojnë këto dy shtete dhe me vonë e bëjnë një marrëveshje për kompensim”, thotë Hajdari.
Hajdari shton se asnjëra nga këto shtete, ku janë pronat e Kosovës, nuk e ka gatishmërinë më të vogël për të liruar pronat.
Mustafa: Çështjet e pronave nuk diskutohen në nivel shtetëror
Muhamet Mustafa, nga Instituti “Riinvest”, i cili ka qenë edhe koordinator i ekipit për çështje ekonomike në Grupin Negociator në Vjenë, para se Kosova ta shpallte pavarësinë në vitin 2008, thotë për Radion Evropa e Lirë se pasuria e ndërmarrjeve shoqërore në vendet e ish-Jugosllavisë, është çështje që nuk diskutohet në nivel shtetëror, pasi për të dhe çështje të ngjashme, duhet t’i zgjidhin vetë subjektet ekonomike, qoftë ato subjekte private apo publike.
Në Kosovë, shton Mustafa, në emër të ndërmarrjeve shoqërore, këto çështje pronësore, duhet të udhëhiqen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
“Çështja e pronave parimisht është e rregulluar me aktet e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe Kosova iu përmbahet atyre akteve ndërkombëtare, që edhe janë rregulluar gjatë suksesionit që e kanë bërë republikat e ish-Jugosllavisë dhe Kosova është pajtuar se i pranon ato propozime edhe në bisedimet e Vjenës dhe në planin gjithëpërfshirës të Ahtisaarit”, thotë Mustafa.
Procesi i privatizimit në Kosovë ka nisur në vitin 2003. Deri më tani janë privatizuar mbi 2,000 asete. Këto pasuri shtetërore në 116 valë të privatizimit, janë shitur në vlerë prej rreth 760 milionë euro.
Qeveria e Kosovës është duke planifikuar të mbyllë Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ndonëse ende nuk ka një plan të ri sesi do të vazhdojë privatizimin dhe çështjet të cilat dalin nga ky proces.
Facebook Forum