Ndërlidhjet

Kosova dhe Mali i Zi me deklaratë të përbashkët për Demarkacionin


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, duke nënshkruar deklaratën e përbashkët për Demarkacionin
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, duke nënshkruar deklaratën e përbashkët për Demarkacionin

Kosova dhe Mali i Zi kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës inkurajohet ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet dy vendeve.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë të ditur se marrëveshja është nënshkruar nga ai dhe homologu i tij nga Mali i Zi, Filip Vujanoviq.

Presidenti Thaçi, ka thënë se falë vullnetit të mirë të palës malazeze dhe përkushtimit të lidershipit të Kosovës, “kemi nënshkruar deklaratën e përbashkët, e cila adreson të gjitha shqetësimet e partive politike dhe të opinionit publik lidhur me shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi”.

Siç është specifikuar në këtë deklaratë, ka thënë Thaçi, “jemi pajtuar për të adresuar dhe korrigjuar gabimet eventuale të përcaktuara në deklaratën e përbashkët për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi”.

Në një konferencë për media, presidenti Thaçi ka lexuar disa nga pikat që përmban deklarata.

“Të udhëhequr nga dëshira që në mirëbesim të përmbushim obligimet që rrjedhin nga karta e Kombeve të Bashkuara, në veçanti duke pasur respektimin e parimeve të sovranitetit, integritetit territorial, pavarësisë dhe zgjidhjeve të mosmarrëveshjeve me mjete paqësore, pa kërcënime ose përdorim të forcës, në përputhje edhe me strategjinë e Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Republika e Kosovës dhe Mali i Zi kanë nënshkruar në Vjenë më 26 gusht 2015-të Marrëveshjen për kufirin shtetëror, tash e tutje duke ju referuar si marrëveshja”, lexoi Thaçi një pjesë të deklaratës së nënshkruar.

“Duke konfirmuar se në nenin 12 të Marrëveshjes ceket shprehimisht se Marrëveshja i nënshtrohet ratifikimit dhe hyn në fuqi në ditët e pranimit të njoftimit të fondit të dërguar, nëpërmjet kanaleve diplomatike në të cilën palët njoftojnë njëra-tjetrën, që kanë përmbushur procedurat e tyre të brendshme ligjore dhe të nevojshme për hyrjen në fuqi”, theksoi ai.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka qenë kundër marrëveshjes aktuale, ka përshëndetur deklaratën e arritur në mes Prishtinës dhe Podgoricës zyrtare.

Në një postim në Facebook, kryeministri Haradinaj ka shkruar se “është i lumtur që u arrit aneks-marrëveshja për ratifikimin, rishikimin dhe korrektimin e demarkacionit me Malin e Zi. Sot u vulos që sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Zhlepit do të rishikohen dhe korrektohen”.

Me këtë deklaratë, ka thënë ai, “Kosova përfundon obligimin e fundit për liberalizim të vizave dhe po hapim një kapitull të ri në lirinë e lëvizjes për qytetarët tonë”.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili është edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, në rrjetet sociale ka shkruar se arritja e konsensusit nacional për ratifikimin e Demarkacionit më Malin e Zi, është lajm i mirë.

“Kjo pjekuri politike duhet të na përcjellë edhe në vendimet tjera të mëdha për vendin. Në këtë jubile të pavarësisë, izolimi i shtetit merr fund dhe qytetarëve tanë u hapet rruga e liberalizimit”, ka shkruar Veseli.

Edhe opozita ka reaguar ndaj deklaratës së nënshkruar nga presidentët Thaçi e Vujanoviq.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës thonë se e mbështesin deklaratën edhe pse, sipas tyre, ajo është e njëjtë me marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2015.

Avdullah Hoti nga LDK-ja tha se gati tri vite janë humbur duke u debatuar për Demarkacionin dhe në fund ka rezultuar se marrëveshja e njëjtë mbetet në fuqi. Ai ka kërkuar që ata të cilët e kanë bllokuar deri më tash ratifikimin e Demarkacionit, duhet të japin përgjegjësi para qytetarëve të vendit. Këtu ai ka apostrofuar sidomos kryeministrit Ramush Haradinajn, si politikanin që njihet si kundërshtari më i ashpër i Marrëveshjes së demarkacionit.

“Ne mbesin në qëndrimin tonë se pas votimit të Demarkacionit, Qeveria duhet të hapë dorëheqje, Kuvendi duhet shpërbëhet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja”, thotë Hoti.

Po përmes rrjetit social Facebook, edhe deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka shkruar se “rinegocimi i Marrëveshjes për demarkacion është hap dhe lajm i mirë për Kosovën”, por sipas tij, orari i akteve vendimmarrëse për këtë çështje mund të konsiderohet i rrezikshëm, idëmshëm dhe absurd.

Ndryshe, ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit të Malit të Zi, sipas presidentit Thaçi, i hap rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Liberalizmi i vizave është dhurata më e mirë që mund të ndodhë në këtë dhjetëvjetor të pavarësisë. Prandaj, jam i sigurt se partitë politike parlamentare do të kenë vullnet politik që pa humbur kohë, ta ratifikojnë marrëveshjen” ka thënë ai.

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Si e tillë, kjo marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi.

Derisa, mungesa e ratifikimit nga Kosova, deri më tani është kundërshtuar nga një pjesë e spektrit politik, të cilët janë deklaruar se me anë të kësaj marrëveshjeje, Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë tokë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG