Ndërlidhjet

Kandidatja për komisionare të Zgjerimit kundër shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë


Kandidatja për komisionare të Zgjerimit të BE-së, Marta Kos.
Kandidatja për komisionare të Zgjerimit të BE-së, Marta Kos.

Kandidatja për komisionare të Zgjerimit e BE-së, sllovenia Marta Kos, ka thënë të enjten se ajo nuk do t'i ndiqte tendencat e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo i bëri këto komente duke folur në një seancë dëgjimore në Parlamentin Evropian (PE), ku u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve në komisionin e politikës së jashtme të PE-së.

“Sa i përket shkëmbimit të territorit, jo. Jo. Komisioni Evropian dhe unë, nëse konfirmohem, nuk do t'i ndjekim këto tendenca”, ka thënë ajo pasi është pyetur për idetë për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat, sipas deputetit që bëri pyetje, mund të kthehen përsëri në tryezë pas fitores së Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Administrata e mëparshme e Trumpit ka thënë se nuk do ta kundërshtonte shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë për ta zgjidhur mosmarrëveshjen mes tyre, me kusht që Prishtina dhe Beogradi do të përpunonin një “zgjidhje të kënaqshme reciproke”.

Kos është pyetur gjithashtu edhe për rolin e saj të mundshëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo shprehu gatishmëri për të punuar me Kaja Kallasin, e cila pritet të konfirmohet në postin e përfaqësues për politikë të jashtme të BE-së, dhe ta marrë përsipër ndërmjetësimin e dialogut mes dy vendeve fqinje.

“Dialogu formalisht është në duart e Kaja Kallasit. Unë do të punoj sigurisht me të. Pasi e njoh këtë rajon dhe mentalitetin, dua të bashkëpunoj në këtë fushë. Të lëvizim përpara. Është bërë shumë formalisht deri me tani”, tha ajo.

Ajo tha se pret nga Kosova dhe Serbia ta zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilën u pajtuan në fillim të vitit 2023 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Por, Kos paralajmëroi se “nëse gjërat nuk shkojnë, duhet të gjejmë një rrugë të re”, duke e cituar Albert Ajnshtajnin se “është çmenduri të vazhdosh ta bësh të njëjtën gjë çdo ditë dhe të presësh rezultat tjetër“.

Nga burimet e Parlamentit Evropian mësohet se Kos ka marrë mbështetjen e shumicës së nevojshme në Komisionin e politikës së jashtme të PE-së për të ushtruar funksionin e komisionares për Zgjerim.

Gjatë paraqitjes para eurodeputetëve, Kos ishte kontradiktore, pasi kur u pyet nëse Beogradi duhet të ndjekë shembullin e BE-së dhe të vendosë sanksione kundër Rusisë, ajo fillimisht tha se ky nuk ishte kusht gjatë procesit të zgjerimit, por më pas e pranoi se rreshtimi i plotë me politikat e BE-së është i nevojshëm për t’u bërë anëtar i bllokut.

Kos po ashtu nuk iu përgjigj disa pyetjeve lidhur me sanksionimin e mundshëm të Serbisë, për shkak të sulmit në Banjskë të Zveçanit, të kryer vitin e kaluar nga një grup i serbëve të armatosur.

Ajo po ashtu nuk iu përgjigj pyetjeve nëse masat kufizuese të bllokut ndaj Kosovës, që janë në fuqi që nga viti i kaluar për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, duhet të hiqen.

Negociatat për anëtarësim me Malin e Zi e Shqipërinë mund të mbyllen brenda vitesh

Ndërkaq, duke folur për zgjerimin, kandidatja për komisionare ka thënë se Mali i Zi dhe Shqipëria kanë mundësi t’i përmbyllin bisedimet për anëtarësim në bllok deri në vitin 2026 dhe 2027, përkatësisht.

Kos shpreson ta marrë pëlqimin e komisionit për t’u emëruar në postin e komisionares për Zgjerim.

Ajo tha gjatë seancës dëgjimore se do të jetë e “përkushtuar” për ta përshpejtuar procesin e zgjerimit dhe se do ta mbajë si parim qëndrimin se vendet kandidate duhet të anëtarësohen në bazë të meritave dhe përmbushjes së reformave dhe kushteve për anëtarësim.

“Sot, për herë të parë pas dhjetë vjetësh, ekziston një mundësi reale për t'i afruar një apo dy vende nga fundi i procesit të negociatave. Mund të ndodhë që ne mund t’i përmbyllim negociatat me Malin e Zi, t’i mbyllim të gjithë kapitujt, deri në fund të vitit 2026. Me Shqipërinë deri në vitin 2027”, tha ajo.

Mali i Zi i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht 3. Pas disa vitesh stagnimi, ky vend i ka rinisur negociatat në qershor të këtij viti dhe tani po punon drejt mbylljes së tyre.

Në anën tjetër, Shqipëria e hapi kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian më 15 tetor.

Kos theksoi se gjatë mandatit të saj, nëse do të emërohet, do të ngulë këmbë që edhe BE-ja t’i mbajë premtimet ndaj vendeve në procesin e zgjerimit.

Gjatë seancës ajo disa herë është pyetur, kryesisht nga deputetët e së djathtës ekstreme nga vendet lindore të bllokut, për dyshimet se në të kaluarën ka bashkëpunuar me shërbimet e zbulimit të ish-Jugosllavisë. Ajo i ka hedhur poshtë këto akuza.

Ajo u propozua për këtë post në shtator nga presidentja e zgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Nëse konfirmohet, Kos do ta zëvendësojë në këtë pos Oliver Varhelyin.

Konfirmimi formal i komisionerëve do të bëhet në fund të procesit kur të përfundojnë seancat dëgjimore për të gjithë kandidatët. Synohet që Komisioni i ri Evropian të konfirmohet në seancën plenare të Parlamentit Evropian me 25 nëntor dhe të nisë mandatin më 1 dhjetor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG