Lideri verikorean Kim Jong Un dhe presidenti i Koresë së Jugut kanë thënë se janë pajtuar që të përkushtohen për denuklearizimin e Gadishullit Korean.
Kim Jong Un u bë lideri i parë i Koresë së Veriut që shkeli në territorin e Koresë së Jugut, që prej përfundimit të Luftës Koreane më 1953. Ai qëndroi sot në Korenë e Jugut ku morri pjesë në një samit historik të liderëve të të dyja shteteve.
“Koreja e Veriut dhe e Jugut konfirmuan se qëllim i përbashkët është nëpërmjet denuklearizimit të plotë, synohet një gadishull pa armë bërthamore”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Megjithatë, në deklaratë nuk është dhënë asnjë masë specifike që do të ndërmarrte Koreja e Veriut drejt denuklearizimit.
Dy liderët gjithashtu janë zotuar për bisedime me Shtetet e Bashkuara dhe potencialisht edhe me Kinën, me qëllim që edhe zyrtarisht t’i jepet fund Luftës Koreane.
Konflikti ishte ndërprerë pasi ishte nënshkruar marrëveshja e armëpushimit më 1953, por dy Koretë, teknikisht ende janë në luftë.
“Teksa qëndroj këtu sot, shoh se njerëzit e Koresë së Jugut dhe të Veriut janë të njëjtë, kanë të njëjtin gjak – ata nuk mund të ndahen”, ka thënë Kim gjatë adresimit të tij në samit.
Dy liderët janë pajtuar që presidenti jugkorean, Moon Jea-in të vizitojë Phenjanin gjatë këtij viti dhe po ashtu janë pajtuar që të hapin një zyrë të përhershme të komunikimit në qytetin verikorean Kaesong, dhe rifillimin e ribashkimit të përkohshëm të familjarëve mes dy vendeve, që janë ndarë nga lufta.
Përpara këtij takimi, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka paralajmëruar se komuniteti ndërkombëtar duhet të mbajë në fuqi sanksionet ndaj Koresë së Veirut derisa të shihen “ndryshime konkrete” në veprimet e Veriut, duke shtuar se nuk duhet të ketë zbutje të presionit ndaj Phenjanit.
“Derisa të shohim ndryshime konkrete në verpimet e Koresë së Veriut, ne duhet të vazhdojmë presionin dhe sanksionet”, u ka thënë gazetarëve në Bruksel shefi i NATO-s.
Samiti – i treti pas dy takimeve të mbajtura më 200 dhe 2007 – do të pasohet me një takim në mes të Kim dhe presidentit amerikan Donald Trump, që pritet të mbahet muajin e ardhshëm ose në fillim të qershorit.
Tensionet në rajon u përshkallëzuan vitin e kaluar, pasi Koreja e Veriut kreu një sërë testesh të raketave balistike dhe teste bërthamore, ndërkaq Kim dhe Trump shkëmbyen kërcënime dhe ofendime.
Por, në fillim të këtij viti, Kim nisi një program të papritur diplomatik, i cili përfishnte pjesëmarrjen e Veriut në Olimpiadën Dimërore që u mbajt në Korenë e Jugut.
Në delegacionin e Koresë së Veriut ishte edhe motra e Kim, Kim Yo Jong, e cila kishte marrë pjesë në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore.
Të dy liderët mbollën një pishë që daton nga viti 1953, kur dhe armëpushimin për Luftën Koreane u nënshkrua.