Ukraina: 135 fëmijë të vrarë prej nisjes së luftës
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës ka thënë se 135 fëmijë janë vrarë dhe 184 janë plagosur prej nisjes së pushtimit rus në Ukrainë.
Duke dhënë një përditësim për viktimat, zyrtarët kanë thënë se dy fëmijë janë vrarë gjatë luftimeve të ashpra në rajonin Luhansk.
Të enjten, dy fëmijë të moshave gjashtë dhe 13 vjeç janë plagosur në rajonin Donjeck, si pasojë e bombardimeve ruse.
Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur të verifikojë këto raportime.
I fiksuar pas Ukrainës: Si erdhi deri te pushtimi?
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka dhënë urdhrin për pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Një muaj më pas: mijëra njerëz të vrarë; miliona të zhvendosur; banesa, spitale, shkolla e rrugë të shkatërruara. Si çoi fiksimi i Putinit me Ukrainën në një operacion të madh ushtarak në Evropë, të paparë që nga Lufta e Dytë Botërore?
Raportohet për dështim të raketave ruse
Raketat ruse kanë një shkallë të dështimit prej 60 për qind, kanë thënë disa zyrtarë amerikanë për agjencinë e lajmeve, Reuters.
Këto dështime mund të jenë shkaktuar nga pamundësia për nisje të raketave e deri të dështimi për të shpërthyer në shënjestër.
Shkalla e dështimit e cila nuk është verifikuar diku, mund të sqarojë përpjekjet e Rusisë për të mbajtur momentumin në pushtimin njëmujor të Ukrainës.
Sipas Shteteve të Bashkuara, Rusia ka nisur të paktën 1,100 raketa prej shpërthimit të luftës.
Autoritetet amerikane nuk kanë treguar sa prej tyre kanë goditur shënjestrat dhe nëse kanë shpërthyer.
Rusia nuk është përgjigjur në kërkesën e Reutersit për të komentuar këto pretendime.
Medvedev: Sanksionet nuk do të kenë ndikim në Moskë
Dmitry Medvedev, ish-president i Rusisë dhe tani zëvendësshef i Këshillit shtetëror të Sigurisë, ka thënë se do të ishte “budallallëk” të besohet se sanksionet e Perëndimit kundër bizneseve ruse mund të kenë ndikim në Qeverinë në Moskë.
Perëndimi ka vendosur një mori sanksionesh ndaj Rusisë, dhe disa sanksione shënjestrojnë oligarkë rusë, që besohet se janë të afërt me presidentin rus, Vladimir Putin.
“Le të pyesim veten: A mund të kenë këta biznesmenë, qoftë edhe ndikimin më të vogël në udhëheqësinë e shtetit?", ka thënë Medvedev në një intervistë për agjencinë ruse të lajmeve, RIA.
“Po ju them hapur, jo, nuk ka mundësi”.
Mirëpo analistët besojnë se ndëshkimi i oligarkëve mund të funksionojë, pasi ata mund t’i bëjnë presion Putinit për të ndryshuar strategjinë.