Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
08:28 25.3.2022

Mirëmëngjesi juve që na jeni bashkuar tani!

Këtu keni një përmbledhje të zhvillimeve të fundit lidhur me luftën në Ukrainë:

  • Presidenti amerikan, Joe Biden pritet të takohet të premten me refugjatë ukrainas në kufirin mes Polonisë dhe Ukrainës. Më shumë se dy milionë ukrainas i kanë ikur luftës, duke marrë rrugë në Poloni
  • Një muaj prej nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ka thënë kombeve evropiane se janë vonuar ndaj kërcënimeve të Moskës, duke sugjeruar për sanksione që ndoshta do të mund të parandalonin luftën
  • Ai u ka bërë thirrje atyre “të mos vonohen” në miratimin e kërkesës së Ukrainës për anëtarësim në BE
  • Fjalimi i Zelenskyt ka ardhur pas një dite intensive me samite urgjente që janë mbajtur të enjten në Bruksel mes kombeve të Perëndimit, për të dënuar veprimet e Rusisë
  • Biden ka thënë se NATO-ja “do të përgjigjet” nëse Rusia përdor armë kimike në Ukrainë, mirëpo nuk ka treguar hollësi. Perëndimi ka paralajmëruar kundër ndonjë skenari të tillë, teksa lufta hyn në javën e pestë
  • NATO-ja ka konfirmuar se do të dërgojë 40,000 trupa në Sllovaki, Hungari, Bullgari dhe Rumani – vendet fqinje të Ukrainës
  • Kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë për transmetuesin britanik, BBC se Ukraina mund ta fitojë luftën, mirëpo presidenti rus, Vladimir Putin nuk duket i interesuar në arritje të paqes
  • Në fushëbetejë, zyrtarët ukrainas kanë pretenduar të enjten se kanë shkatërruar një anije ruse në portin e qytetit të pushtuar Berdjansk.
08:16 25.3.2022

Britania: Ukraina po zmbraps forcat ruse

Ministria britanike e Mbrojtjes ka publikuar një vlerësim të luftës në Ukrainë, duke thënë se ky shtet ka arritur të rimarrë disa qyteza dhe pozicione mbrojtëse në lindje të kryeqytetit, Kiev.

Sipas Ministrisë, Ukraina ka pasur sukses edhe në zmbrapsjen e forcave ruse nga një tokë që e kanë marrë në veriperëndim të Kievit.

Sipas analizës britanike, linjat e furnizimit të forcave ruse janë të tejzgjatura.

07:57 25.3.2022

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miraton rezolutë për mbrojtje të civilëve në Ukrainë

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë, e cila kërkon mbrojtjen e civilëve dhe infrastrukturës civile në Ukrainë, si dhe ndaljen e menjëhershme të luftës.

Rezoluta, e cila është miratuar më 24 mars në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ka siguruar 140 vota në të mirë të saj nga 193 në total.

Katër shtete – Siria, Bjellorusia, Koreja Veriore dhe Eritrea – i janë bashkuar Rusisë me votë kundër dhe 38 shtete kanë abstenuar.

Rezoluta “kërkon ndalje të menjëhershme të armiqësive nga Federata Ruse kundër Ukrainës, në veçanti për sulmet kundër civilëve apo objekteve civile”.

Në të kërkohet edhe mbrojtja e civilëve, stafit mjekësor, punëtorëve për ndihma dhe gazetarëve.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e ka konsideruar pushtim rus në Ukrainë si “luftë absurde”, e cila ka lënë të vdekur mijëra njerëz, ka shkatërruar shtëpi, ndërtesa dhe ka krijuar miliona refugjatë.

Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë detyruese, mirëpo kanë peshë politike.

Pamje e sallës së takimeve në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Pamje e sallës së takimeve në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

07:42 25.3.2022

Punëtorët e Çernobilit nuk mund të shkojnë në punë “për shkak të bombardimeve”

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike ka njoftuar se Ukraina i ka thënë që forcat ruse janë duke bombarduar hyrjen e qytetit Sllavutiç.

Ky qytet, me rreth 25,000 banorë, është vendi ku jeton një pjesë e madhe e punëtorëve të centralit bërthamor Çernobil.

Çernobili, vendi ku ka ndodhur aksidenti më i rëndë bërthamor më 1986, është nën kontrollin e forcave ruse tash e një muaj.

Ukraina i ka thënë Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike se bombardimet janë duke rrezikuar shtëpitë dhe familjet e stafit që punon në Çernobil dhe është duke pamundësuar ndërrimin e punëtorëve.

Rafael Grossi, shef i kësaj Agjencie ka thënë se është i shqetësuar nga këto zhvillime, për të cilat bëhet e ditur vetëm disa ditë pasi stafit i është mundësuar të kthehet në shtëpi, pas gati katër javëve pa u larguar nga vendi i punës.

Ai ka thënë se Agjencia që drejton do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën.

Vuajtjet e një familjeje, 35 vjet pas katastrofës së Çernobilit
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:05:38 0:00

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG