Rusia do të dalë “më e dobët” nga lufta
Rusia do të pendohet për vendimin e pushtimit të Ukrainës, ka thënë Nënsekretari amerikan i Mbrojtjes, Colin Kahl para gazetarëve.
“Mendoj, me një shkallë të lartë të sigurisë, se Rusia do të dalë nga Ukraina më e dobët sesa që ka hyrë në konflikt”, ka thënë ai.
“Më e dobët në aspektin ushtarak, ekonomik, politik dhe gjeopolitik, por edhe më e izoluar”.
Ai ka shtuar se rusëve janë duke u harxhuar raketat precize për shkak të konfliktit njëmujor.
Kahl ka thënë po ashtu se një vlerësim i strategjisë amerikane do të shpallë Rusinë “kërcënim akut”, mirëpo ka shtuar se ky shtet nuk përbën sfidë afatgjatë për SHBA-në, sikurse Kina.
Zelensky, Evropës: Vepruat shumë vonë për të ndalur Rusinë
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka bërë një video-adresim në samitin e Këshillit Evropian në Bruksel.
Ai ka theksuar shkatërrimin dhe dëmet që ka shkaktuar pushtimi rus në shtetin e tij, dhe ka falënderuar Evropën që është bashkuar në mbështetje të Ukrainës.
Më pas, ai u ka thënë hapur liderëve evropianë se kanë vepruar shumë vonë për të ndalur Rusinë.
“Ju keni vënë sanksione. Ne u jemi mirënjohës. Ata janë hapa të fuqishëm”.
“Mirëpo ka qenë pak vonë… ka pasur mundësi”, ka thënë ai, duke shtuar se nëse do të kishte sanksione parandaluese, ndoshta Rusia nuk do të niste luftën.
Ai ka përmendur edhe projektin e gazsjellësit, Rrjedha Veriore 2, duke thënë se nëse do të bllokohej më herët, “Rusia nuk do të krijonte krizë të gazit”.
Ai më pas u ka bërë thirrje liderëve të bllokut evropian që të mos vonohen në shqyrtimin e kërkesës së Ukrainës për t’u bërë pjesë e bllokut evropian.
Në javët e fundit, Zelensky ka bërë disa fjalime para parlamenteve nëpër botë dhe nuk është frikësuar për të kritikuar Perëndimin për atë që e konsideron dështim për të ofruar më shumë mbështetje.
Mirëmëngjesi të gjithëve!
Po e rinisim raportimin në kohë reale rreth zhvillimeve të lidhura me luftën në Ukrainë.
Qëndroni me ne!
Lexues të nderuar, këtu po e mbyllim mbulimin e drejtpërdrejt të ngjarjeve në Ukrainë. Do të rikthehemi sërish nga ora 07:00.
Më poshtë mund të lexoni ngjarjet kryesore, teksa sot u shënua njëmujori i nisjes së pushtimit rus të Ukrainës:
- Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se NATO është më e bashkuar se kurrë. Ai tha se presidenti rus, Vladimir Putin, po përballet me të kundërtën e asaj që kishte shpresuar se do të përballej pas hyrjes në Ukrainë. Këto komente Biden i bëri pas një samiti me liderët e NATO-s në Bruksel
- SHBA-ja vendosi sanksione ndaj më shumë se 400 politikanëve, oligarkëve dhe kompanive ruse për pushtimin e paprovokuar rus të Ukrainës
- NATO ka konfirmuar se do të dërgojë 40,000 trupa në Sllovaki, Hungari, Bullgari dhe Rumani
- SHBA-ja tha se NATO do të përgjigjej në rast të sulmeve ruse me armë kimike në Ukrainë
- Një luftanije ruse është shkatërruar dhe dy anije të tjera janë dëmtuar në qytetin-port ukrainas të Berdianskës, thanë zyrtarët ukrainas
- Ukraina tha se ka kryer shkëmbimin e parë të të burgosurve me Rusinë, teksa dhjetë ukrainas janë shkëmbyer me dhjetë rusë
- Rusia ka akuzuar Perëndimin se me armatosjen e Ukrainës po dëshiron që lufta të vazhdojë
- Kombet e Bashkuara kanë miratuar një rezolutë të re, përmes së cilës kërkohet ndalja e menjëhershme e luftës dhe lejimi që ndihma humanitare të arrijë te civilët në Ukrainë
- UNICEF tha se 4.3 milionë fëmijë janë zhvendosur që prej se ka nisur lufta në Ukrainë. Ndërkaq, Kombet e Bashkuara thanë se kanë regjistruar mbi 1,000 viktima civile, edhe pse paralajmëruan se numri real i viktimave është më i lartë