Blinken do të vizitojë Lindjen e Mesme për të diskutuar për pushtimin rus të Ukrainës
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të vizitojë Izraelin, Bregun Perëndimor, Marokun dhe Algjerinë nga 26 deri më 30 mars, për të diskutuar për luftën në Ukrainë, raportet izraelito-palestineze dhe Ira, tha Departamenti i Shtetit.
Blinken do të takohet me kryeministrin Izraelit, Naftali Bennett, me presidentin e autoritetit palestinez, Mahmoud Abbas. Ndërkaq, në Marok do të takohet me Princin e Kurorës së Abu Dabit, Mohammed bin Zayed.
Ushtruesja e detyrës së ndhimës sekretares, Yael Lempert, tha se gjatë takimit me Bennett do të diskutohet edhe roli i Izraelit për të ndërmjetësuar paqen midis Ukrainës dhe Rusisë.
“Ne e vlerësojmë rolin e Izraelit. Pra, kjo temë do të jetë në agjendë”, tha ajo.
Bennett ka zhvilluar bisedime të rregullta me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe atë rus, Vladimir Putin, pasi vendi i tij ka raporte të mira si me Ukrainën ashtu edhe me Rusinë.
Deri më tani, asnjë vendim konkret nuk është arritur nga ndërmjetësimi izraelit.
Biden: Uniteti i Evropës si tërësi ka vërtetë rëndësi
Pas samitit të NATO-s, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, mori pjesë në takimin me Këshillin Evropian në Bruksel, për të diskutuar për luftën në Ukrainë.
Biden përsëriti se presidenti rus, Vladimir Putin, po tenton që ta “përçajë NATO-n” dhe shtoi se Putin “do të preferonte që të përballej me 30 shtete të pavarura sesa me 30 shtete të bashkuara me SHBA-në”.
Presidenti amerikan tha se ideja “e unitetit të Evropës si tërësi – jo vetë, NATO, G7 dhe Këshilli Evropian – ka vërtetë shumë rëndësi. Është gjëja më e rëndësishme që ne mund të bëjmë për ta ndalur këtë person, i cili, sipas shtetit tonë, ne besojmë se ai veçse ka kryer krime lufte”.
Pjesë nga adresimi i presidentit Biden, pas samitit të NATO-s
Ukraina: Mbi 400,000 persona janë dërguar me forcë në Rusi
Ukraina e akuzoi Moskën se me forcë po dërgon qindra-mijëra civilë nga qytetet ukrainase për në Rusi dhe disa prej tyre po i përdor si “pengje” për t’i bërë presion Kievit që të dorëzohet.
Avokatja e Popullit në Ukrainë, Lyudmyla Denisova, tha se 402,000 persona, përfshirë 84,000 janë dërguar në Rusi pa dëshirën e tyre.
Edhe Kremlini ka dhënë pothuajse shifrën e njëjtë të personave që janë zhvendosur, por Moska ka thënë se ata kanë dashur që të shkojnë në Rusi.
Lexues të nderuar, nëse tani jeni kyçur në blogun tonë, më poshtë mund të mësoni zhvillimet kryesore që kanë ndodhur gjatë ditës së sotme lidhur me luftën në Ukrainë:
- Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se NATO është më e bashkuar se kurrë. Ai tha se presidenti rus, Vladimir Putin, po përballet me të kundërtën e asaj që kishte shpresuar se do të përballej,pas hyrjes në Ukrainë. Këto komente Biden i bëri pas një samiti me liderët e NATO-s në Bruksel
- NATO ka konfirmuar se do të dërgojë 40,000 trupa në Sllovaki, Hungari, Bullgari dhe Rumani
- Një luftanije ruse është shkatërruar dhe dy anije të tjera janë dëmtuar në qytetin-port ukrainas të Berdianskës, thanë zyrtarët ukrainas
- Ukraina tha se ka kryer shkëmbimin e parë të të burgosurve me Rusinë, teksa dhjetë ukrainas janë shkëmbyer me dhjetë rusë
- Rusia ka akuzuar Perëndimin se me armatosjen e Ukrainës po dëshiron që lufta të vazhdojë
- Kombet e Bashkuara kanë miratuar një rezolutë të re, përmes së cilës kërkohet ndalja e menjëhershme e luftës dhe lejimi që ndihma humanitare të arrijë te civilët në Ukrainë