OBSH nuk po arrin të dërgojë ndihmë në Mariupol
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se ende e ka të pamundur që të dërgojë furnizime mjekësore në qytetin e rrethuar ukrainas Mariupol, por edhe në Mikolaiv. OBSH tha se këto qytete kanë shumë nevojë për furnizime mjekësore.
Tarik Jasarevic, nga OBSH, që ka arritur në qytetin Dnipro të Ukrainës, i tha BBC-së se OBSH-ja nuk po mund të dërgojë ndihmë në këto dy zona.
OBSH-ja ditë më parë tha se ka konfirmuar 64 sulme ndaj objekteve shëndetësore: spitale, qendra mjekësore dhe ambulanca.
Jaserevic tha se sulme të tilla “po kanë efekt shkatërrues për të gjithë” dhe shtoi se punëtorët shëndetësorë nuk po ndihen të sigurt duke e bërë punën e tyre, ndërkaq pacientët po kanë frikë që të shkojnë për trajtim mjekësor.
Nëse qendrat shëndetësore nuk mbrohen “komuniteti do të jetë i tmerruar se nuk ka kufij humanitare në luftë dhe se nuk ka asnjë vend të sigurt”, tha ai.
Të mbijetuarat e rrethimit nazist të Leningradit dënojnë luftën në Ukrainë
Disa prej të mbijetuarave të rrethimit nazist të Leningradit kanë folur kundër luftës në Ukrainë. Anna Klementyeva, 90-vjeçare, humbi të gjithë familjen e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Ata kanë vdekur të gjithë”, tha ajo. “Por, unë jam gjallë. Dhe, më shumë se kushdo tjetër, unë kam të drejtë – dhe është detyra ime ndaj tyre – të flas kundër luftës”.
Tekstin e plotë mund ta lexoni më poshtë
Biden për unitetin e NATO-s
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, tha se aleanca ushtarake e NATO-s kurrë nuk ka qenë më e bashkuar se sot. Ai këto komente i bëri pas një takimi me liderët e NATO-s në Bruksel.
Rusia: NATO dëshiron që lufta të vazhdojë
Ministria e Jashtme ruse ka reaguar pas samitit të NATO-s që u mbajt sot.
Kjo ministri tha se vazhdimi i mbështetjes së Kievit tregon se aleanca perëndimore dëshiron që konflikti të vazhdojë, sipas një deklarate, për të cilën ka raportua agjencia ruse Ria.
Perëndimi po “korr fryte të tmerrshme” pas vendimit për ta armatosur Ukrainën. Ministria e Jashtme ruse tha se Perëndimi e ka inkurajuar Qeverinë ukrainase që të përdorë forcën kundër rajoneve separatiste të mbështetura nga Rusia në lindje të Ukrainës.
Më herët, Rusia ka thënë se banorët e rajoneve separatiste po përballeshin me “gjenocid”.