OKB kërkon qasje në ndihmë humanitare në Ukrainë
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë të re, jodetyruese, që kërkon ndaljen e “menjëhershme” të luftës ruse në Ukrainë.
Rezoluta po ashtu bën thirrje për qasje në ndihmë humanitare dhe mbrojtjen e civilëve në Ukrainë. Ky dokument e kritikon Rusinë për krijimin e situatës së “tmerrshme” humanitare, pasi Moska nisi pushtimin e shtetit fqinj një muaj më parë.
Për këtë rezolutë votuan 140 shtete, ndërkaq 38 abstenuan.
Pesë shtete votuan kundër rezolutës: Rusia, Siria, Koreja e Veriut, Eritrea dhe Bjellorusia.
Kjo rezolutë pason një rezolutë të miratuar më 2 mars që kishte kërkesa të ngjashme, përmes së cilës i bëhej thirrje Rusisë për një armëpushim të menjëhershëm.
Letonia kërkon që BE-ja të vendosë sanksione ndaj importeve të energjisë ruse
Shtetet e Bashkimit Evropian duhet ta shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së sanksione ndaj importeve të energjisë nga Rusia, në mënyrë që të ndalet lufta në Ukrainë, tha kryeministri i Letonisë.
Arturs Karins tha se sanksionet mbi energjinë do të ishin një mënyrë “për të ndalur paratë që të shkojnë në arkat e luftës së Putinit”.
Karins, i cili mori pjesë në samitin e liderëve të BE-së në Bruksel, shtoi: “Vendimi më logjik për të ecur përpara është te nafta dhe qymyri. Ne duhet ta ndalojmë Putinin, sepse nëse nuk e ndalojmë Putinin, ai nuk do të ndalet”.
NATO ia zgjat mandatin Stoltenbergut për shkak të luftës së Rusisë
Me rrezikun e zgjerimit të konfliktit në Evropë, NATO ka ndërmarrë veprime për stabilitet, teksa të enjten ia zgjati mandatin sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, edhe për një vit teksa aleanca ushtarake po përballet me krizën e sigurisë të shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë.
Stoltenberg shkroi në Twitter të enjten se ishte i “nderuar” me vendimin e liderëve të NATO-s që mandati i tij në krye të aleancës të zgjatej deri më 30 shtator të vitit 2023.
“Teksa ne përballemi me krizën më të madhe të sigurisë në gjeneratë, ne qëndrojmë unik për të mbajtur aleancën tonë të fortë dhe njerëzit tanë të sigurt”, tha ai, pasi presidenti amerikan, Joe Biden, dhe homologët e tij gjatë samitit të mbajtur në Bruksel, u pajtuan për zgjatjen e mandatit.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
Vuçiq mirënjohës ndaj Rusisë për gazin
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se i ishte mirënjohës zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, që u kujdes për problemet e mundshme të Beogradit me pagesën e gazit rus.
“E falënderoj Peskovin për këtë. Mediat ruse raportuan sapo thashë se problemi për ne është pagesa në rubla, për shkak të paqëndrueshmërisë së valutës. Shpresoj se do të arrijmë ta zgjidhim edhe këtë”, tha Vuçiq, më 24 mars, në Televizionin Pink.
Ai paraprakisht vlerësoi se rritja e çmimit të naftës dhe gazit natyror në tregun botëror, për shkak të krizës në Ukrainë, është një problem i madh, i cili bëhet edhe më i madh pas vendimit të presidentit rus, Vladimir Putin, për të paguar gazin rus në rubla.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU