UNICEF: Mbi gjysma e fëmijëve ukrainas janë të zhvendosur
Pas një muaji të luftës, mbi gjysma e fëmijëve ukrainas – 4.3 milionë nga 7.5 milionë sa vlerësohet të jetë numri i përgjithshëm i tyre – tashmë janë zhvendosur, tha organizata për fëmijë e Kombeve të Bashkuara, UNICEF.
Nga ky numër, 1.8 milion janë larguar në shtetet fqinje, ndërkaq 2.5 milionë janë të zhvendosur brenda Ukrainës.
“Kjo situatë mund të ketë pasoja afatgjata për gjeneratat që do të vijnë”, tha drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell.
“Siguria e fëmijëve, mirëqenia e tyre dhe qasja në shërbime thelbësore janë në rrezik nga dhuna e tmerrshme që po ndodh pandërprerë”.
Përveç traumave pasi kanë qenë dëshmitarë të luftës dhe janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, fëmijët ukrainas po ashtu po pësojnë për shkak të sulmeve ndaj ndërtesave shëndetësore, shkollave dhe shërbimeve bazike, tha organizata.
UNICEF vlerësoi se 1.4 milion ukrainas nuk kanë qasje në ujë të pijshëm dhe 4.6 milionë të tjerë kanë furnizime të pakta.
Kina mohon se ishte në dijeni për pushtimin rus të Ukrainës
Ministria e Mbrojtjes së Kinës tha të enjten se është e pavërtetë që Kina ka pasur “njohuri paraprake” për pushtimin rus të Ukrainës dhe i cilësoi këto pretendime si shpifje.
Komentet e kësaj ministrie vijnë pasi mediat ndërkombëtare raportuan se Kina ka injoruar paralajmërimet nga Shtetet e Bashkuara se Rusia do ta sulmonte Ukrainën.
Kina tha se kundërshton fuqishëm këto pretendime dhe tha se SHBA-ja i ka bërë këto pretendime “për të zvogëluar përgjegjësinë e saj dhe për të njollosur Kinën”, tha Ministria kineze e Mbrojtjes përmes një deklarate.
OKB: Numri i viktimave civile kalon shifrën prej 1,000
Numri i viktimave civile në Ukrainë ka kaluar shifrën prej 1,000 që prej nisjes së pushtimit rus, tha Zyra e Komisionarit të Lartë për të Drejta të Njeriut (OHCHR) të Kombeve të Bashkuara. Kjo zyre paralajmëroi se “numri real i viktimave konsiderohet se është shumë më i lartë”.
“Shumica e viktimave civile që janë regjistruar janë shkaktuar nga përdorimi i armëve shpërthyese në zona civile, përfshirë nga sulmet me granatime dhe artileri të rëndë, nga sistemet raketore, dhe sulmet ajrore”, tha OHCHR.
Në deklaratë, OKB tha se ka konfirmuar 1,035 vdekje të civilëve. Ndërkaq, 1,650 civilë janë plagosur që prej nisjes së pushtimit, një muaj më parë.
“OHCHR beson se numri real i viktimave konsiderohet të jetë shumë më i lartë, teksa pranimi i informacioneve nga disa lokacione, ku ka armiqësi intensive, po vonohet dhe disa raporte janë ende duke u përpunuar”, u tha në deklaratë.
SHBA sanksionon mbi 400 individë, oligarkë dhe kompani ruse
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj më shumë se 400 politikanëve, oligarkëve dhe kompanive ruse për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës nga ana e Rusisë.
Departamenti amerikan i Thesarit ka thënë më 24 mars se ka zgjeruar listën e të sanksionuarve, duke përfshirë kompani ruse të mbrojtjes, 328 anëtarë të Dumës Shtetërore dhe shefin e institucionit më të madh bankar në Rusi, Sberbank.
“Sot, ky është vendimi i fundit për të vendosur kosto të rëndë ndaj Federatës Ruse për luftën e paligjshme dhe të pabazë kundër Ukrainës”, ka thënë Thesari amerikan.
“Ky vendim është i lidhur me veprime të ngjashme të marra nga Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja dhe reflekton unitetin e vazhdueshëm për të mbajtur (presidentin rus, Vladimir) Putin përgjegjës për luftën”, ka thënë ai.
Në listë përfshihet shefi i Sberbank, Herman Gref, i cili ka qenë njeri i afërt me Putinin prej viteve 1990.
Në deklaratë është thënë se do të ngrihet prona e të gjithë të sanksionuarve në Shtetet e Bashkuara.