Armët kimike do të “ndryshonin krejtësisht natyrën e konfliktit”
Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg, ka thënë se është i shqetësuar sepse Rusia është duke tentuar të akuzojë Ukrainën dhe Perëndimin se po përgatiten për përdorim të armëve kimike.
Ai ka thënë se akuza kundër tjerëve është mënyrë për të arsyetuar kryerjen e veprimit të njëjtë.
Stoltenberg ka thënë se këto akuza kundër Ukrainës dhe aleatëve të NATO-s janë të rreme.
Çfarëdo përdorimi i armëve kimike “do të ndryshojë natyrën e konfliktit” pasi përbën “shkelje të ligjit ndërkombëtar” dhe do të ishte gjë “jashtëzakonisht e rrezikshme”.
Ai ka thënë se kjo gjë nuk prek vetëm njerëzit në Ukrainë, por potencialisht edhe vendet e NATO-s, për shkak të mundësisë së përhapjes së helmit.
Ai ka përmendur se Rusia ka përdorur agjentë kimikë në të kaluarën - përfshirë Sallsbërin në Angli.
NATO i bën thirrje Rusisë që t’i japë fund luftës “menjëherë”
Liderët e NATO-s kanë thënë se janë duke u siguruar në marrjen e masave për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e aleatëve "në të gjitha fushat dhe me një qasje 360 shkallë”.
“Ne po rrisim qëndrueshmërinë e shoqërive tona dhe infrastrukturës sonë për të luftuar ndikimin e dëmshëm të Rusisë”, është thënë në deklaratë, duke përmendur edhe mbrojtjen kundër sulmeve kibernetike.
Liderët kanë lavdëruar popullin e Ukrainës, duke thënë se “ka inspiruar botën me rezistencën heroike ndaj luftës brutale të Rusisë”.
Në deklaratë i është bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin “që menjëherë të ndalë këtë luftë dhe të tërheqë forcat ushtarake nga Ukraina”.
NATO zotohet për më shumë furnizime ushtarake dhe mbështetje kibernetike
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se pas pushtimit rus në Ukrainë, ekziston një “realitet i ri i sigurisë”.
Në tokë, do të ketë më shumë forca në lindje të Evropës.
Në ajër do të angazhohen më shumë aeroplanë, dhe në det do të ketë më shumë nëndetëse dhe anije luftarake me bazë të përhershme.
Pritet të ketë edhe më shumë furnizime ushtarake, mbrojtje kibernetike, si dhe NATO-ja është zotuar se do t’i ndihmojë Ukrainës që ta mbrojë vetën kundër kërcënimeve bërthamore dhe atyre biologjike.
NATO-ja pajtohet për të forcuar mbrojtjen në lindje
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka nisur konferencën për media, duke thënë se pushtimi rus në Ukrainë përbën kërcënimin më të madh për sigurinë në gjenerata.
NATO ka thënë se aleanca është pajtuar për të forcuar krahun lindor, pas pushtimit rus në Ukrainë.
“Ne kemi aktivizuar planet e NATO-s për mbrojtje, kemi angazhuar elemente të Forcës së Reagimit të NATO-s dhe kemi vendosur 40,000 trupa në krahun tonë lindor”, është thënë në një deklaratë të përbashkët të aleancës.
Stoltenberg ka thënë më herët se do të ketë katër dislokime tjera në Sllovaki, Hungari, Bullgari dhe Rumani.