Kremlini: Johnson është “lideri më aktiv kundër Rusisë”
Kremlini ka thënë se kryeministri britanik, Boris Johnson është lideri më aktiv kundër Rusisë, mirëpo kjo qasje e Londrës do të çojë në rrugë pa krye.
“Sa i përket Johnsonit, ne e shohim atë si pjesëmarrësin më aktiv në garën e të qenit kundër Rusisë”, është cituar të ketë thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sipas agjencisë së lajmeve RIA.
Më herët gjatë ditës, Mbretëria e Bashkuar ka sanksionuar 65 grupe dhe individë rusë, duke përfshirë një kompani private të sektorit ushtarak dhe një bankë të madhe ruse.
Ndër zhvillimet e fundit të luftës në Ukrainë:
- Liderët e aleancës perëndimore të NATO-s, janë duke u takuar në një samit urgjent për të diskutuar hapat e ardhshëm ndaj Moskës, pas pushtimit rus në Ukrainë. Samiti në Bruksel është përshkruar si një ndër më të rëndësishmit në historinë e aleancës
- Në takim pritet të miratohet edhe angazhimi i mijëra trupave shtesë në lindje të Evropës – Sllovaki, Hungari, Bullgari dhe Rumani – në përpjekje për të forcuar krahun lindor
- Duke folur në samit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka lavdëruar trimërinë e ukrainasve, mirëpo ka përsëritur thirrjet “për mbrojtje të qiejve” nga sulmet ruse
- Ai ka thënë po ashtu, pa ofruar të dhëna, se Rusia ka përdorur bomba fosfori, pa e specifikuar në cilin qytet
- Ndërkohë, marina ukrainase ka thënë se ka shkatërruar një anije ruse në qytetin-port të Ukrainës, Berdjansk
- Mbretëria e Bashkuar ka bërë të ditura sanksione të reja kundër 65 individëve dhe organizatave ruse, duke përfshirë grupin e mercenarëve Wagner
Çfarë është NATO-ja dhe si i është përgjigjur pushtimit rus në Ukrainë?
Pas pak pritet të mbahet një konferencë për media e shefit të NATO-s, Jens Stoltenberg.
NATO-ja është formuar më 1949 nga 12 shtete, por edhe rritur në 30 – duke përfshirë ish-shtetet komuniste në lindje të Evropës.
Elementi kyç i aleancës është që shtetet pajtohen t’i ndihmojnë njëra -tjetrës në rast se sulmohet ndonjë shtet i vetëm.
NATO-ja i ka ofruar Ukrainës rrugën drejt anëtarësimit më 2008 – por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, kryesisht për shkak të kundërshtimeve të Rusisë.
Në fakt, një prej kërkesave të Moskës para pushtimit ka qenë që Ukraina të mos bëhet kurrë anëtare e NATO-s.
Meqë Ukraina nuk është anëtare e aleancës, NATO-ja nuk është e obliguar që të mbrojë këtë shtet.
Vendet anëtare nuk duan të dërgojnë trupa në Ukrainë, mirëpo kanë dërguar armë në këtë shtet – dhe janë duke planifikuar që të forcojnë krahun lindor.
Zelensky: Ukraina po lufton në kushte të pabarabarta
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka folur të enjten në Samitin e NATO-s, përmes video-lidhjes.
Zelensky ka thënë se ka kërkuar ndihmë ajrore “për të mbrojtur qiellin tonë” nga fillimi i luftës, pasi Ukraina nuk ka pajisje të fuqishme për mbrojtje.
Ai ka thënë se Rusia është duke përdorur armë të shkatërrimit në masë dhe pasojat shihen qartë.
“Ne jemi në situatë jo të barabartë për një muaj”, ka thënë ai, duke bërë thirrje për mbështetje ushtarake pa kufizime, në mënyrë që të ruhet populli dhe qytetet ukrainase.
Ai ka thënë se Rusia është duke përdorur gjithë arsenalin e saj – duke shënjestruar qyteza, spitale dhe ura.
Deri më tani Ukraina nuk ka pranuar asnjë aeroplan, ka thënë Zelensky.
Ai ka thënë se ka kërkuar edhe tanke, mirëpo ende nuk është bërë e ditur përgjigja e vendeve të NATO-s.
“Ukraina nuk dëshiron të zhvillojë luftëra për vite e vite me radhë”, ka thënë ai.
“Ne vetëm duam të mbijetojmë, të ruajmë njerëzit tanë”.
Mirëpo ai ka thënë se nuk fajëson NATO-n, pasi raketat e tyre nuk janë duke shkatërruar qytetet.
Aleanca mund të ndihmojë për të shmangur vdekjet, duke i ofruar Ukrainës më shumë municion, ka thënë Zelensky.
Është çështje e jetës dhe vdekjes, ka thënë mes tjerash ai.