I fiksuar pas Ukrainës: Si erdhi deri te pushtimi?
Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Një muaj më pas: mijëra njerëz të vrarë; miliona të zhvendosur; banesa, spitale, shkolla e rrugë të shkatërruara. Si çoi fiksimi i presidentit rus me Ukrainën në një operacion të madh ushtarak në Evropë, të paparë që nga Lufta e Dytë Botërore?
Kremlini: Abramovich ka luajtur rol në fillim të bisedimeve për paqe
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov është deklaruar të enjten për një mori çështjesh – duke përfshirë rolin e oligarkut të sanksionuar rus, Roman Abramovich në bisedimet për paqe.
Ai ka thënë se pronari i klubit britanik të futbollit, Chelsea “ka marrë pjesë në fazën fillestare”, mirëpo ai proces tani është në duart e dy palëve negociatore.
Kremlini është deklaruar edhe për dëbimet e fundit të diplomatëve amerikanë nga Rusia.
Peskov ka thënë se Rusia ka qenë e detyruar t’i dëbojë ata, pasi 12 diplomatë rusë janë dëbuar nga misioni rus në Kombet e Bashkuara në Nju Jork muajin e kaluar.
Zelensky: Rusia ka përdorur bomba fosfori
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë se ka përdorur bomba fosfori këtë mëngjes.
“Sërish, fëmijët tanë janë duke vdekur, njerëzit janë duke vdekur”, i ka thënë ai NATO-s.
Ai nuk ka ofruar hollësi se ku ka ndodhur sulmi.