Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
13:47 22.3.2022

Ukraina: 117 fëmijë të vrarë në luftë

Së paku 117 fëmijë janë vrarë dhe mbi 155 të tjerë janë plagosur qëkur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt, tha të martën Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës.

Sipas saj, shumica e viktimave janë raportuar në ose rreth kryeqytetit Kiev dhe në qytetin verilindor të Harkivit.

Në Harkiv, një tank rus raportohet se ka goditur një makinë, në të cilën ndodhej një familje me dy fëmijë, tha Zyra e Prokurorit.

Në qytetin e rrethuar të Mariupolit, shtoi ajo, autobusët e evakuimit që kanë transportuar fëmijë, janë goditur nga granatimet ruse.

Prokurorët po ashtu thanë se kanë regjistruar 548 sulme mbi shkolla dhe objekte të tjera arsimore - 72 prej të cilave janë “shkatërruar plotësisht”.

Sipas prokurorëve, shifrat që ata raportojnë, nuk janë përfundimtare, për shkak të vështirësive në qasjen apo inspektimin e vendeve në disa pjesë të Ukrainës.

Harkiv, 18 mars, 2022.
Harkiv, 18 mars, 2022.

13:30 22.3.2022

OBSH: 62 sulme në objektet shëndetësore në Ukrainë

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka raportuar se ka konfirmuar 62 sulme të veçanta në objektet shëndetësore në Ukrainë, që nga fillimi i pushtimit rus gati katër javë më parë.

Organizata tha se nga këto sulme u vranë 15 persona dhe të paktën 37 u plagosën.

Ndërkohë, zyrtarët e OBSH-së në Poloni thonë se një vlerësim i shpejtë tregon se rreth gjysmë milioni refugjatë që kanë arritur atje kanë probleme psikologjike, kryesisht për shkak të traumave.

Gjithashtu, punonjësit e shëndetësisë në kufi, raportojnë për ardhjen e fëmijëve dhe nënave që vuajnë nga rraskapitja dhe dehidratimi, ndërsa shumë të moshuar vijnë pas disa ditësh udhëtim pa mjekim, veçanërisht për sëmundje të tilla si diabeti dhe presioni i lartë i gjakut.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatë (UNHCR) thekson se 3,5 milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina.

Kjo shifër po i afrohet vlerësimit fillestar prej katër milionësh, ndërkaq që Agjencia pranoi sot se kjo shifër së shpejti mund të tejkalohet.

12:58 22.3.2022

Ukraina pretendon se ka rikthyer kontrollin e Makarivit

Pas disa ditësh luftime, forcat ukrainase kanë rikthyer kontrollin e Makarivit, qytezë rreth 50 kilometra në perëndim të Kievit, kanë thënë Forcat e Armatosura të Ukrainës përmes një postimi në Facebook.

“Flamuri shtetëror i Ukrainës është ngritur mbi qytetin e Makarivit”, derisa rusët janë tërhequr, është thënë në postim.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur të konfirmojë këtë pretendim.

Makariv ka pësuar dëme të mëdha nga sulmet e vazhdueshme ajrore të Rusisë.

Rrjeti televiziv amerikan, CNN ka thënë se ka arritur të verifikojë vërtetësinë e fotografive të publikuara në rrjetet sociale më 12 mars, të cilat kanë treguar dëme të mëdha në ndërtesa banimi, shkolla dhe objekte shëndetësore.

Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon vazhdimisht se nuk është duke shënjestruar civilët, pavarësisht dëshmive për të kundërtën.

12:42 22.3.2022

Zelensky para deputetëve italianë: Jemi në prag të mbijetesës

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i është drejtuar Parlamentit italian përmes video-lidhjes.

Ai u ka thënë deputetëve italianë se shteti i tij është në prag të mbijetesës së luftës me Rusinë dhe ka paralajmëruar se Moska dëshiron të depërtojë në pjesën tjetër të Evropës, ka raportuar agjencia e lajmeve, Reuters.

“Për trupat ruse, Ukraina është porta e Evropës, ata duan të hyjnë brenda, mirëpo barbarizmi nuk duhet të depërtojë”, ka thënë ai.

Ai ka përsëritur thirrjet e bëra në adresimet para parlamenteve të shteteve tjera, që Rusia të sanksionohet më shumë.

Kryeministri italian, Mario Draghi, ka thënë se shteti i tij dëshiron ta shohë Ukrainën në Bashkimin Evropian dhe se duhet ofruar ndihmë ushtarake për të, në mënyrë që të ndalen masakrat.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i është drejtuar Parlamentit italian nëpërmjet video-lidhjes.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i është drejtuar Parlamentit italian nëpërmjet video-lidhjes.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG