Gazetari rus vendos në ankand Çmimin e tij Nobel për t'iu ndihmuar refugjatëve ukrainas
Kryeredaktori i gazetës së pavarur Novaya Gazeta – me bazë në Moskë – Dmitry Muratov, do ta vendosë në ankand medaljen e tij të Çmimit Nobel, me qëllim të mbledhjes së fondeve për refugjatët ukrainas, të cilët kanë ikur për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga ana e Rusisë.
Muratov, i cili është nderuar me Çmimin Nobel për Paqe më 2021, për betejën e tij që të ruajë të vërtetën si gazetar, e ka bërë të ditur këtë njoftim në gazetën e tij më 22 mars.
“U bëj thirrje grupeve të ankandeve, që janë të interesuara për këtë çmim të njohur në gjithë botën, të na kontaktojnë neve”, ka thënë Muratov, i cili ka fituar çmimin bashkë me Maria Ressan, bashkëthemeluese e faqes Rappler, e cila njihet si platformë kundër Qeverisë së Filipineve.
Muratov dhe Novaya Gazeta kanë bërë të ditur këtë njoftim, duke bërë thirrje edhe për zbatim të pesë masave në Ukrainë: armëpushim, shkëmbim të të burgosurve, riatdhesimin e të vdekurve, krijimin e korridoreve humanitare dhe ofrimin e ndihmës për refugjatët”.
Zelensky i bën thirrje Vatikanit për ndërmjetësim në dhënie fund të luftës
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka biseduar të martën me Papa Françeskun dhe ka sugjeruar se Vatikani mund të luajë rol ndërmjetësues në dhënien fund të luftës me Rusinë.
Në një postim në Twitter, Zelensky ka thënë se i ka treguar Papës për “situatën e vështirë humanitare” dhe se si janë duke u bllokuar korridoret nga trupat ruse.
Ai ka bërë thirrje për ndërmjetësim në dhënie fund të dhimbjeve, pak ditë pasi Zelensky ka thënë se Jerusalemi mund të jetë lokacion i mundshëm në të ardhmen për bisedime të nivelit të lartë në mes të Ukrainës dhe Moskës.
Ukraina: Më shumë se 15,000 trupa ruse janë vrarë në luftë
Rreth 15,300 trupa ruse janë vrarë prej nisjes së luftës në Ukrainë, ka thënë Ministria ukrainase e Mbrojtjes në përditësimin e saj të fundit.
Ministria ka thënë se ushtria ruse është përballur me humbje edhe për shkak të shkatërrimit të 509 tankeve, mbi 1,500 pajisjeve luftarake dhe 252 sistemeve të artilerisë.
Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur të verifikojë këto të dhëna.
Rusia, në anën tjetër, ka thënë më 2 mars se ka regjistruar 498 viktima, mirëpo nuk ka përditësuar më të dhënat.
Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar së fundmi që rreth 7,000 trupa ruse janë vrarë në konflikt.
Besohet se mijëra fëmijë janë dërguar nga Ukraina në Rusi
Ambasada amerikane në Kiev, ka thënë se, sipas Ministrisë së Jashtme ukrainase, forcat ruse kanë dërguar 2,389 fëmijë ukrainas nga rajonet Donjeck dhe Luhansk për në Rusi.
“Kjo nuk është ndihmë. Ky është kidnapim”, ka thënë Ambasada.
Para nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se njeh pavarësinë e rajoneve Donjeck dhe Luhansk, të cilat gjenden në lindje të Ukrainës.