Ekipet e shpëtimit po luftojnë me zjarret në disa qytete
Ekipet e shpëtimit në Ukrainë janë duke luftuar për të shuar zjarret dhe për të pastruar rrënojat pas shkatërrimit të banesave në disa qytete të mëdha, ka thënë Shërbimi Shtetëror i Emergjencës në Ukrainë.
Puna për kërkim dhe pastrim është duke u kryer në kryeqytetin ukrainas, Kiev dhe në rajonin Harkiv.
Ekipet kanë luftuar me zjarret edhe në ndërtesa private dhe objekte tjera të bombarduara nga forcat ruse.
Japonia dënon tërheqjen e Rusisë nga bisedimet për traktat të paqes
Japonia ka kritikuar vendimin e Rusisë për t’u tërhequr nga bisedimet bilaterale për traktat të paqes dhe për të pezulluar projektet e përbashkëta ekonomike, të lidhura me ishujt e kontestuar.
Rusia dhe Japonia ende nuk u kanë dhënë fund zyrtarisht armiqësive të Luftës së Dytë Botërore, për shkak të ishujve që gjenden afër ishullit Hokaido.
Këta ishuj njihen si Kurils në Rusi dhe si Territoret Veriore në Japoni.
Vendimi i Moskës për t’u tërhequr nga bisedimet ka ardhur si hakmarrje për sanksionet e vendosura nga Tokio drejt Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Ishujt janë pushtuar nga ish-Bashkimi Sovjetik në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe Rusia pretendon se blerja e tyre ishte po aq e drejtë sa çdo ndryshim ndërkombëtar i kufijve pas luftës.
Japonia konteston këtë gjë.
“E gjithë situata e krijuar nga pushtimi rus në Ukrainë dhe përgjigja ruse për të përfshirë këtë gjë në marrëdhëniet Japoni-Rusi, është jashtëzakonisht e padrejtë dhe plotësisht e papranueshme”, ka thënë kryeministri japonez, Fumio Kishida.
Japonia ka vendosur sanksione ndaj 76 individëve rusë, shtatë bankave dhe 12 subjekteve tjera, duke përfshirë zyrtarë të Mbrojtjes dhe kompaninë shtetërore për eksport të armëve, Rosoboronexport.
Ukraina: Trupat ruse kanë rezerva të municionit për tri ditë
Në përditësimin e fundit, Ministria ukrainase e Mbrojtjes ka thënë se forcat ruse kanë rezerva të municionit dhe ushqimit që “nuk zgjasin më shumë se tri ditë”.
Në deklaratën e saj është thënë edhe se:
- Forcat ruse kanë furnizime të naftës për tri ditë, dhe më pas ata furnizohen me kamionë-cisternë. Ata nuk kanë qenë në gjendje të plotësojnë nevojat për mbledhje të trupave
- Në 24 orët e fundit, forca ajrore ukrainase ka goditur nëntë shënjestra ruse – një aeroplan, gjashtë pajisje pa pilot dhe dy helikopterë
- Në Ohtirka, qytet i vogël në rajonin Sumi, 300 ushtarë rusë kanë refuzuar të luftojnë në Ukrainë dhe janë larguar nga zona e operacionit
- Forcat ukrainase janë mbrojtur nga 13 sulme dhe kanë shkatërruar 14 tanke dhe sisteme tjera luftarake
Radio Evropa e Lirë nuk i ka verifikuar këto pretendime.
Zhvillimet e orëve të para të mëngjesit:
Paralajmërimi i Bidenit: Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se ka shenja të qarta që presidenti rus, Vladimir Putin mund të jetë duke u përgatitur për përdorim të armëve kimike dhe atyre biologjike në Ukrainë. Biden ka thënë se lideri rus “është mbështetur për muri” si rezultat i rezistencës ukrainase dhe se ka rrezik që ai mund të zbatojë taktika më të ashpra
Vendosmëria e Zelenskyt: Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se shteti i tij nuk do t’iu nënshtrohet ultimatumeve nga Rusia – pasi Moska ka thënë se do t’iu mundësojë banorëve të Mariupolit që të ikin, nëse Ukraina dorëzon qytetin. Ai ka bërë thirrje për bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin, me qëllim të dhënies fund të konfliktit
Rusia rrit sulmet ajrore: Ushtria ukrainase ka thënë se Rusia ka rritur prezencën ajrore në Ukrainë në 24 orët e fundit
Pretendimet ruse për viktimat: Një medium rus ka publikuar një material, në të cilin është thënë se numri i rusëve të vrarë në Ukrainë është rreth 10,000 dhe se mbi 16,000 ushtarë janë të plagosur. Më vonë ky medium ka fshirë materialet dhe ka thënë se ka qenë viktimë e hakimit.