Mirëmëngjesi të gjithëve!
Po e rinisim transmetimin në kohë reale rreth zhvillimeve të lidhura me luftën në Ukrainë.
Ushtria ukrainase ka thënë se forcat ruse kanë “rritur prezencën e aeroplanëve në hapësirën ajrore të Ukrainës”, në 24 orët e fundit.
“Përveç përdorimit të shumë mjeteve ajrore pa pilot, armiku përdor bombardues, avionë sulmues dhe luftarakë, raketa lundrimi dhe raketa balistike në drejtime të ndryshme”, ka thënë Komanda e forcave ajrore të Ukrainës.
Në deklaratën e saj është thënë se Ukraina ka shkatërruar një aeroplan rus, dy helikopterë dhe gjashtë dronë.
Radio Evropa e Lirë nuk i ka verifikuar këto informacione.
Lexues të nderuar, këtu po e mbyllim mbulimin e drejtpërdrejt të ngjarjeve lidhur me luftën në Ukrainë. Do të rikthehemi sërish nga ora 07:00.
Ndërkaq, më poshtë mund të gjeni një përmbledhje të ngjarjeve kryesore të ditës së 26-të të luftës në Ukrainë:
- Pentagoni tha se ka prova të qarta që forcat ruse po kryejnë krime lufte në Ukrainë dhe tha se do të ndihmojë në mbledhjen e dëshmive për këtë gjë
- SHBA-ja po diskuton me shtetet e tjera për t’i ofruar Ukrainës sisteme kundërajrore me rreze të gjatë veprimi
- Një media pro Kremlinit publikoi një artikull ku citonte Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë e cila thoshte se numri i ushtarëve rusë të vrarë në Ukrainë ishte 9,861. Por, ky artikull më pas u fshi. Rusia deri më tani ka pranuar se në luftën në Ukrainë i janë vrarë afër 500 ushtarë, ndërkaq Ukraina pretendon se ky numër është afër 15,000
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se shteti i tij nuk do të përkulet para ultimatumeve të Rusisë. Ndërkaq, këshilltari i tij, Mykhaylo Podolyak, tha se qëndresa e popullit ukrainas ka bërë që Rusia të përballet me realitetin
- Një zyrtar i mbrojtjes së SHBA-së tha se avancimi i forcave ruse në Ukrainë ka ngecur, duke theksuar se trupat ruse, të pozicionuara afër kryeqytetit ukrainas, që një javë nuk kanë lëvizur drejt Kievit
- Të paktën tetë persona u vranë pas bombardimeve ruse në një zonë banimi në kryeqytetin ukrainas, Kiev
- Ukraina injoroi kërkesën e Rusisë që ta dorëzojë qytetin e Mariupolit
- Në Herson – qytetin ukrainas nën kontrollin e Rusisë – forcat ruse kanë shtënë me armë drejt qytetarëve që po kundërshtojnë pushtimin rus
SHBA-ja po diskuton për t’i dhënë Ukrainës sisteme kundërajrore me rreze të gjatë veprimi
Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, tha se SHBA-ja është “në diskutime të vazhdueshme” me shtetet e tjera që Ukrainës t’i ofrohen sisteme të mbrojtjes ajrore me rreze të gjatë veprimi.
Deri më tani, Uashingtoni i ka ofruar Ukrainës armë kundërajrore të llojit Stinger. Këto sisteme, megjithatë, janë më efektive ndaj helikopterëve dhe avionëve që fluturojnë në lartësi më të ulëta sesa avionët luftarakë që fluturojnë në lartësi më të mëdha ajrore.
Ka pasur raportime se një numër shtetesh – përfshirë Sllovakinë – kanë shprehur gatishmërinë e tyre që t’i japin Ukrainës sisteme kundërajrore S-400.
Ukraina përdor sisteme S-300 dhe personeli ushtarak është i pranuar që t’i përdorë ato.
Kirby nuk përmendi në mënyrë eksplicite Sllovakinë apo sistemet S-300, por tha se SHBA-ja është “në konsultime aktive” lidhur me “llojet e aftësive të mbrojtjes që përfshijnë sisteme të mbrojtjes me rreze të gjatë veprime, që ne e dimë se Ukraina di t’i përdorë”.
Forcat ruse “kanë arrestuar zyrtarë ukrainas”
Pesë raste të arrestimeve të zyrtarëve lokalë nga forcat ruse janë regjistruar në qytetin verior ukrainas të Çernihivit, raportoi agjencia e lajmeve Interfax-Ukraine.
Duke cituar ueb-faqen e Parlamentit ukrainas, kjo media tha se trupat ruse kanë arrestuar krerët e dy fshatrave dhe një këshilltar lokal, ndërkaq dy këshilltarë të tjerë lokalë janë rrëmbyer.
Ndërkaq, në lindje të Ukrainës, rusët kanë rrëmbyer kreun e një fshati në Harkiv, raportoi agjencia e lajmeve UNIAN.