Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
21:59 21.3.2022

Media pro Kremlinit publikon numrin e ushtarëve të vrarë rusë, por më pas e fshin artikullin

Gazeta pro Kremlinit, Komsomolskaya Pravda (KP), ka publikuar një artikull në të cilin e ka cituar Ministrinë ruse të Mbrojtjes që ka thënë se 9,861 ushtarë rusë kanë vdekur gjatë luftës në Ukrainë. Ndërkaq, numri i të plagosurve u tha se ishte 16,153.

Disa minuta më vonë, ky artikull është fshirë nga ueb-faqja e kësaj media. Ndërkaq, redaktori i Komsomolskaya Pravda, i tha BBC-së se ky informacion i postuar në ueb-faqen e këtij mediumi, ishte rezultat i një hakimi dhe tha se gazeta do të publikonte një shpjegim më vonë.

Pas këtij lajmi, këshilltari i Presidencës ukrainase, Mykhaylo Podolyak, tha përmes një postimi në Twitter se “arti i gënjeshtrave ruse më nuk kryen punë”.

“Ministria e Mbrojtjes së Rusisë zyrtarisht u detyrua të pranojë se nuk kanë vdekur 500 persona në Ukrainë, por janë vrarë 9,861”, shkroi ai.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë më 2 mars ka ofruar të dhënat e vetme për humbjet në luftë, përkatësisht ka pranuar se janë vrarë 498 ushtarë në Ukrainë.

Ndërkaq, Ukraina ka pretenduar se që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, ka vrarë afër 15,000 ushtarë rusë, ndërkaq inteligjenca perëndimore ka thënë se numri i ushtarëve rusë vlerësohet të jetë 7,000.

21:33 21.3.2022

Biden dhe liderët evropianë bisedojnë për mbështetjen për Ukrainën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka zhvilluar një bisedë telefonike me liderët evropianë, me të cilët ka folur për luftën në Ukrainë, tha Shtëpia e Bardhë.

Në këtë bisedë kanë marrë pjesë presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz, kryeministri britanik, Boris Johnson, dhe ai italian, Mario Draghi.

Shtëpia e Bardhë tha se liderët kanë “biseduar për shqetësimet serioze lidhur me taktikat brutale të Rusisë në Ukrainë, përfshirë edhe sulmet ndaj civilëve”.

“Ata theksuan mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën, përfshirë edhe ofrimin e mbështetjes së sigurisë për ukrainasit trima që po e mbrojnë shtetin e tyre nga agresioni rus, dhe për mbështetjen humanitare për miliona ukrainas që janë larguar nga dhuna”, u tha në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti amerikan, Joe Biden, është paraparë që të udhëtojë për në Evropë më vonë gjatë kësaj jave, për të marrë pjesë në takimet me NATO-n, Bashkimin Evropian, aleatët e G7-ës në Bruksel. Po ashtu ai pritet të ketë takime dypalëshe me presidentin e Polonisë, Andrzej Duda në Varshavë të premten më 25 mars.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

21:15 21.3.2022

Pentagoni: Do të ndihmojmë në mbledhjen e dëshmive për krimet e luftës të kryera nga Rusia

Pentagoni i akuzoi forcat ruse për kryerje të krimeve të luftës në Ukrainë dhe tha se do të ndihmojë në mbledhjen e dëshmive për kryerjen e krimeve të tilla.

Më 21 mars, Pentagoni po ashtu e akuzoi Kremlinin se po kryen sulme pa dallim, si pjesë e strategjie të qëllimshme në konflikt.

“Ne sigurisht po shohim prova të qarta se forcat ruse po kryejnë krime lufte dhe ne po ndihmojmë në mbledhjen e provave për këtë”, tha zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby gjatë një konference për media.

“Por, ka procese hetimore që do të vazhdojnë dhe ne do të lejojmë që këto procese të ndodhin. Ne do të kontribuojmë në këto procese hetuese. Se çfarë do të dalë nga to, ky vendim nuk i përket udhëheqjes së Pentagonit që ta marrë”, tha ai.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.
Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.

20:30 21.3.2022

Negociatori: Qëndresa e Ukrainës e bën Rusinë që të përballet me realitetin

Mykhaylo Podolyak
Mykhaylo Podolyak


Pas 26 ditësh të luftës, ka pasur disa ndryshime në negociatat e paqes, tha për BBC-në, negociatori ukrainas, Mykhaylo Podolyak.

Qëndresa e Ukrainës e ka detyruar Rusinë “që ta vlerësojë më mirë realitetin” e situatës, dhe ai tha se kjo i ka ndihmuar në inkurajimin “e një lloj dialogu”.

Por, çdo vendim për një marrëveshje të paqes do të merret midis presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe liderit rus, Vladimir Putin, tha ai.

Podolyak po ashtu tha se nuk ka ndonjë datë për një takim të mundshëm Zelensky-Putin.

Edhe pse nuk dha detaje mbi negociatat, Podolyak tha se Kievi e ka bërë të qartë se nuk do të bëjë asnjë kompromis mbi integritetin dhe sovranitetin e Ukrainës.

Ai sërish shprehu frustrimin e Kievit mbi refuzimin e NATO-s që të krijojë një zonë të ndalim-fluturimit mbi Ukrainë.

“Ata nuk po e mbyllin qiellin tonë, po qëndrojnë anash në kohën kur dhjetë milionë njerëz po kërkojnë vend ku të jetojnë dhe tre milionë të tjerë veçse janë larguar nga shteti. Kjo është katastrofë humanitare në Evropë”, tha ai.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG