Rusia shpall të jashtëligjshëm Facebook-un dhe Instagram-in
Një gjykatë në Moskë ka vendosur që platformat e kompanisë Meta të emërohen si “organizata ekstremiste”, një lëvizje që i bën të jashtëligjshme platformat sociale të kësaj kompanie, Facebook dhe Instagram.
Gjykata tha se ky vendim hyn në fuqi “menjëherë”.
Prokurorët shtetërorë nisën këtë procedurë gjyqësore pasi më 10 mars mediat raportuan se platformat e Meta-s po u lejonin përdoruesve të Facebook-ut dhe Instagram-it në disa shtete që të bënin thirrje për dhunë ndaj rusëve dhe ushtarëve rusë, pasi Moska nisi më 24 shkurt pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
Një i mbijetuar i kampeve të përqendrimit vritet në Harkiv
Qendra memoriale Buchenwald në Gjermani, tha se një i mbijetuar i kampeve të përqendrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore, është vrarë pas bombardimit të shtëpisë së tij në qytetin verilindor ukrainas, Harkiv.
Boris Romantschenko, i cili ishte 96 vjeç, “në mënyrë aktive ka bërë fushatë për kujtimin e krimeve të nazizmit”, tha kjo qendër përmes një postimi në Twitter.
OKB thotë se 925 civilë janë vrarë që prej fillimit të luftës në Ukrainë
Zyra për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) e Kombeve të Bashkuara tha se që prej nisjes së luftës në Ukrainë, 26 ditë më parë, ka regjistruar 2,421 viktima civile.
Sipas njoftimit, që i referohen të dhënave deri në mesnatën e 20 marsit, UHCHR tha se ka regjistruar 925 të vrarë dhe 1,496 të plagosur.
Numri real i viktimave vlerësohet të jetë më i lartë, teksa Ukraina ka raportuar për mijëra civilë të vrarë.
Ndryshe, Kombet e Bashkuara kanë thënë se pothuajse 3.5 milionë ukrainas janë larguar nga shteti që prej fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, nga dhjetë milionë persona që janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Ndër zhvillimet e fundit të ditës së 26-të të luftës në Ukrainë:
- Të paktën tetë persona kanë vdekur në Kiev si pasojë e bombardimeve ruse në një zonë banimi dhe një qendër tregtare
- Ukraina ka injoruar kërkesat e Rusisë për të dorëzuar qytetin e Mariupolit, duke thënë se nuk ka vend për diçka të tillë
- Rusia ka thënë se në këmbim të dorëzimit të qytetit mund të ofrojë hapjen e korridoreve humanitare për largimin e banorëve të asaj zone
- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë për krime lufte në Mariupol, ku luftimet kanë arritur qendrën e qytetit
- Vlerësohet që 90 për qind e ndërtesave të qytetit janë dëmtuar apo shkatërruar
- Rreth 300,000 njerëz kanë mbetur të bllokuar, pa rrymë apo ujë, si dhe me pak ushqim
- Ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes nga Bashkimi Evropian janë takuar të hënën, 21 mars në Bruksel për të diskutuar për më shumë sanksione ndaj Rusisë, për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës