Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
14:37 21.3.2022

Këshilltari i Zelenskyt: Rusia nuk është serioze për paqen

Rusia nuk është serioze për bisedimet e paqes”, ka thënë Alexander Rodnyansky, këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Sipas tij, bisedimet “synojnë ta vendosin në kurth Perëndimin se nuk janë të nevojshme më shumë sanksione”.

“Ata kanë shfrytëzuar këto bisedime si rrugë për të larguar vëmendjen nga ajo që është duke ndodhur në fushëbetejë”, ka shtuar ai.

“Nuk mund të mendoni për paqen dhe të bombardoni qytetet në të njëjtën kohë”.

14:24 21.3.2022

“Panik për sheqer” në dyqanet e Rusisë

Ka raportime se autoritetet janë duke vënë kufizime në sasinë e ushqimit që mund të blihet nëpër dyqanet ruse.

Transmetuesi britanik, BBC ka raportuar se ka pasur kërkesë sidomos për sheqer.

Në rajonin e largët lindor, Maritime, dyqanet kanë vendosur kufizime për blerje të deri dy kilogramëve të sheqerit, miellit, orizit, kripës dhe disa ushqimeve tjera.

Po ashtu është vënë kufizim në deri dy litra të blerjes së vajit dhe tri pako të ushqimit për foshnja.

Këto kufizime janë raportuar nga e përditshmja biznesore e Rusisë, Kommersant.

Në Kabarovsk, qytet në atë rajon, ka pasur panik të blerjes së sheqerit dhe ky produkt nuk shihet më në dyqane, kanë raportuar agjencitë lokale të lajmeve.

Megjithatë, zëvendësministri i Industrisë dhe Tregtisë, Viktor Yevtukhov, ka insistuar se “nuk ka probleme me sheqerin”, dhe se Rusia prodhon mjaftueshëm sasi për banorët e saj dhe se ka ndaluar eksportin e sheqerit.

Javën e kaluar, Shërbimi kombëtar i Statistikave, Rosstat ka thënë se çmimet e sheqerit janë rritur për gati 13 për qind.

Sanksionet e vendosura ndaj Rusisë pas pushtimin të Ukrainës, kanë dobësuar valutën ruse, rubla, dhe kanë rezultuar me inflacion, duke rritur kështu edhe çmimet e ushqimit.

14:03 21.3.2022

Beckham prezanton punën e mjekëve në Ukrainë

Ish-kapiteni i futbollit në Britani të Madhe, David Beckham i ka dhënë qasje një mjekeje në llogarinë e tij në Instagram, e cila ka treguar punën që po bëhet në një spital në Harkiv.

Mjekja Iryna, udhëheqëse e një qendre rajonale, ka publikuar një video të profesionistëve shëndetësorë në qytetin e shënjestruar nga bombat ruse për më shumë se tri javë.

Në video janë parë foshnje të sapolindura duke u trajtuar në një bodrum të spitalit, ku pacientët është dashur të zhvendosen për t’iu ikur bombardimeve.

Beckham, 46-vjeçar, ka më shumë se 71 milionë ndjekës në Instagram.

“Ditët e para kanë qenë më të vështirat. Na është dashur të mësohemi të punojmë nën bombardime dhe sulme”, ka thënë mjekja Iryna.

“Ne ndoshta po rrezikojmë jetët tona, por nuk jemi duke menduar për atë gjë. Ne e duam punën tonë. Mjekët dhe infermierët, ne shqetësohemi, qajmë, por asnjëri nuk dorëzohet”.

13:41 21.3.2022

Ministrat e BE-së diskutojnë sanksione të reja ndaj Rusisë

Ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes nga Bashkimi Evropian janë takuar të hënën, 21 mars në Bruksel për të diskutuar për më shumë sanksione ndaj Rusisë, për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.

Ministrat nga 27 vendet anëtare të bllokut evropian do të diskutojnë edhe për ndihmën urgjente dhe bashkëpunimin ushtarak.

Vendimi për sanksione të mëtejme “do të dominojë në takim dhe nuk do të jetë i lehtë”, ka thënë një diplomat i bllokut evropian para takimit.

Kjo mbledhje vjen para një morie takimesh në mes të aleatëve të Perëndimit për të diskutuar rreth Ukrainës: një samit i BE-së, një samit i NATO-s, dhe takime mes shtatë vendeve më të industrializuara (G7) më vonë gjatë javës.

Polonia dhe vendet e Baltikut janë duke shtyrë përpara sanksione më të ashpra ndaj Rusisë, përfshirë importin në naftën dhe gazin rus.

Megjithatë, Gjermania, e cila varet shumë nga gazi rus, dhe disa vende tjera të BE-së, janë duke rezistuar.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë më 21 mars se Evropa do të goditet rëndë nëse vendos embargo në naftën ruse.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Oleksiy Reznikov, pritet të njoftojë ministrat e BE-së për situatën aktuale të luftës.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG