Sërish orë policore në Kiev
Një vendim i ri për orën policore është bërë i ditur në kryeqytetin ukrainas, Kiev.
Ora policore do të zbatohet nga ora 20:00 me orën lokale të hënën, deri në orën 07:00 me orën lokale të mërkurën, ka thënë kryetari i qytetit, Vitali Klitschko, në llogarinë e tij në Telegram.
“U kërkoj të gjithëve të qëndroni nëpër shtëpi – apo në vendet e strehimit kur të bien sirenat”, ka thënë ai.
Shkatërrimi i një qendre tregtare në Kiev pas sulmit rus
Kievi është zgjuar me skena të reja shkatërrimi pasi një sulm i forcave ruse vonë më 20 mars, shkatërroi një qendër tregtare. Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës tha se të paktën tetë persona janë vrarë gjatë këtij sulmi, i cili goditi edhe ndërtesat e banimit.
Lituania: BE-ja nuk duhet të lodhet nga vendosja e sanksioneve
Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, ka thënë se Bashkimi Evropian “nuk duhet të lodhet” nga vendosja e sanksioneve kundër Rusisë, apo nga ofrimi i ndihmës për Ukrainën.
Gabrielius Landsbergis ka paralajmëruar kundër “ndjenjës që të ulemi dhe të pushojmë”.
Ai ka folur para gazetarëve në Bruksel, pasi ka arritur për t’u takuar me ministra të Jashtëm dhe të Mbrojtjes të Bashkimit Evropian.
Sa u përket sanksioneve, ai ka thënë se është e “pashmangshme” biseda për sektorin e energjisë.
“Ne definitivisht duhet të flasim për naftën, pasi përmes saj sigurohen më së shumti të hyra në buxhetin e Rusisë dhe është lehtë e zëvendësueshme”, ka thënë ai.
Lituania, e cila gjendet në kufi me Poloninë, Letoninë, Bjellorusinë dhe rajonin rus të Kaliningradit, ka qenë një nga kombet më të zëshme për sanksionim të Rusisë.
Borrell thotë se Rusia është duke kryer “krime masive të luftës” në Mariupol
Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka thënë se Rusia është duke kryer “krim masiv të luftës”, duke sulmuar qytetin ukrainas, Mariupol, i cili ka qenë i rrethuar për disa javë.
“Ajo që po ndodh tani në Mariupol është krim masiv i luftës, duke shkatërruar gjithçka, duke bombarduar dhe duke vrarë secilin”, ka thënë Borrell në fillim të takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel.
Blloku prej 27 kombesh do të diskutojë sanksione të reja ndaj Rusisë, duke përfshirë embargo të naftës dhe mundësi të largimit të më shumë bankave nga sistemi financiar SWIFT.