Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
08:08 21.3.2022

Zelensky e konsideron Jerusalemin “vendin e duhur” për bisedime

Izraeli është duke bërë përpjekje për të ndërmjetësuar bisedimet mes Ukrainës dhe Rusisë, dhe në të ardhmen mund të jetë vend nikoqir i negociatave të nivelit të lartë, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Kryeministri i Izraelit, (Naftali) Bennett është duke tentuar të gjejë zgjidhje për mbajtje të bisedimeve”, ka thënë Zelensky përmes një video-adresimi.

“Ne jemi mirënjohës për përpjekjet e tij, dhe herët apo vonë ne do të nisim bisedimet me Rusinë, me mundësi në Jerusalem”.

“Ky është vendi i duhur për të gjetur paqe, nëse është e mundshme”, ka thënë ai.

Komentet e Zelenskyt kanë ardhur pasi ai i është adresuar Parlamentit të Izraelit - përmes video-linkut – të dielën.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

07:49 21.3.2022

Zelanda e Re zotohet për më shumë ndihmë për Ukrainën

Zelanda e Re është zotuar se do t’i ofrojë Ukrainës fonde shtesë në vlerë të 3.46 milionë dollarëve amerikanë si dhe pajisje jovdekjeprurëse.

Kryeministrja e këtij shteti, Jacinda Ardern ka thënë se paratë do të dërgohen në një fond të NATO-s, i cili ofron naftë, pajisje komunikimi dhe pajisje të ndihmës së parë për forcat ukrainase.

Deri më tani, Zelanda e Re ka dërguar ndihmë në Ukrainë në vlerë të 7 milionë dollarëve amerikanë.

07:37 21.3.2022

Raportohet për sulme ruse në një terren stërvitor

Rusia ka lëshuar dy raketa në një terren stërvitor në Rivne, në perëndim të Ukrainës, ka thënë Vitaliy Koval, udhëheqës i administratës rajonale.

Në një video-adresim, ai ka thënë se sulmet kanë ndodhur në mëngjesin e 21 marsit.

07:28 21.3.2022

Britania: Rusia ende e fokusuar në Kiev

Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë se kryeqyteti ukrainas, Kiev, vazhdon të mbetet prioritet për Rusinë dhe trupat ruse pritet të tentojnë sërish të hyjnë në qytet në javët në vijim.

Në përditësimin e mëngjesit, Ministria britanike ka thënë se luftimet e ashpra janë duke vazhduar në veri të kryeqytetit, mirëpo avancimet ruse nga ai drejtim kanë ngecur.

“Pavarësisht mungesës së vazhdueshme të përparimit, Kievi vazhdon të mbetet objektivi kryesor i Rusisë dhe ata pritet ta bëjnë prioritet rrethimin e qytetit në javët në vijim”.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG