Ndërlidhjet

Ndihma e limituar e komunave për biznese


Prishtinë.
Prishtinë.

Disa nga komunat e Kosovës i kanë liruar nga taksat komunale të gjitha bizneset që kanë pësuar humbje nga pandemia e shkaktuar nga koronavirusi, kurse disa të tjera po i përkrahin me mjete financiare.

Deri më tani nuk ka ndonjë llogaritje zyrtare sa janë humbjet e bizneseve, as nga qeveria, as nga niveli lokal. Por, sipas përfaqësuesve të bizneseve, humbja llogaritet të jenë një miliard euro, kurse deri në fund të vitit mund të humbin mbi 30 mijë vende pune.

Një vendim për ndihmë bizneseve të prekura nga pandemia ka marrë edhe Komuna e Prishtinës. Kjo komunë ka ndarë një grant prej pesë milionë eurosh, kurse aplikimi i bizneseve ka filluar të hënën, më 23 nëntor.

Topalli: Komuna e Fushë Kosovës ka ndarë 308 mijë euro

Edhe Komuna e Fushë Kosovës ka filluar t'i ndihmojë bizneset me para të gatshme në formë të subvencionimit.

Ali Topalli, zëdhënës në këtë komunë, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thekson se komuna ka ndarë mbi 308 mijë euro për rreth 600 biznese sa kanë aplikuar. Numri i bizneseve në këtë komunë llogaritet të jetë mbi 1,200.

Ai tregon se nga 300 deri 1,900 euro është vlera e ndihmës që do marrin bizneset, varësisht nga numri i punëtorëve.

“Për këtë vit më nuk ka mundësi që t’iu ofrojmë ndihmë bizneseve. Por, në fillim të vitit të ardhshëm bizneset prapë do të përfitojnë nga buxheti i komunës”, thekson Topalli.

Një nga kompanitë që ka aplikuar për mbështetje financiare është “Leoo”, biznes ky që merret me shërbimin e pijeve alkoolike dhe joalkoolike. Pronari i këtij biznesi, Shefqet Emini, thotë se pas përfundimit të karantinës, ende nuk ka arritur ta vazhdojë aktivitetin në kushte të mëhershme. Kështu që ndihma që mund të japë komuna është e nevojshme, por e pamjaftueshme për rimëkëmbjen e biznesit të tij.

“Kemi aplikuar, nuk kemi marrë ende. Komuna mund të më jap 500-600 euro, por për biznesin tim janë të pamjaftueshme, sepse e kam humbur hapin. Por, prapë me këto mjete ndoshta mund të filloj me ndonjë lokal ‘çajtore’, por jo lokal ashtu siç ka qenë”, thekson Sherifi.

Haziri: Në Komunën e Gjilanit pandemia ka shuar 800 vende pune

Por, disa komuna të tjera bizneset i kanë liruar nga taksat komunale. Njëra nga to është Komuna e Gjilanit. Humbjet financiare të shkaktuara nga pandemia janë shqetësuese, thotë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri.

Në Komunën e Gjilanit në fund të vitit 2019 kanë operuar 4,024 biznese. Sipas një hulumtimi të realizuar nga komuna, Haziri thotë se deri më tani 800 vende pune janë shuar, kurse rreziku i largimit të mëtutjeshëm nga puna është shumë i lartë. Ai thotë se 46 për qind e bizneseve kanë deklaruar rënie të nivelit të shitjes prej 90 deri 100 për qind.

Pavarësisht humbjeve, Haziri thotë se mundësitë për përkrahje financiare janë të kufizuara, sepse të hyrat vetanake komunale kanë rënë dukshëm. Megjithatë, ka pasur lirime nga disa obligime, taksa komunale.

“Kemi liruar të gjitha bizneset nga të hyrat komunale, qiratë komunale dhe gjithçka që është tarifë e komunës, e kemi falur për gjithë vitin. Kryesorja është prona komunale, ne kemi lokale që shfrytëzohen me qira nga bizneset dhe i kemi liruar nga pagesa”, thotë Haziri.

Qumështorja “Kabi” që merret me prodhimin dhe përpunimin e qumështit, gjendet në Komunën e Gjilanit. Pronari i kësaj kompani Nehat Bixhaku, thekson se nga komuna nuk ka përfituar, pasi objekti nuk është me qira. Por, ai thotë se subvencionet komunale, qoftë me para apo makineri, do të lehtësonin të bërit biznes në kompaninë e tij.

“Sa i përket taksave komunale ende nuk kam bërë ndonjë pagesë dhe nuk di, objekti im nuk është me qira. Do të ishte e mirëseardhur ndonjë ndihmë, por edhe kjo varet nga buxheti komunal”, thekson Bixhaku.

Sherifi: Komuna e Ferizajt ka ndarë 200 mijë euro subvencione

Edhe Komuna e Ferizajt në bazë të mundësive buxhetore i ka ndihmuar bizneset private që kanë pësuar humbje nga pandemia.

Zëdhënësi i komunës, Albion Sherifi, tregon se përveç lirimit nga taksat komunale, komuna ka ndarë një buxhet në vlerë prej 200 mijë eurosh, me të cilat ka ndihmuar qytetarët në nevojë, por edhe ka subvencionuar bizneset, kryesisht prodhuese dhe bujqësore, me pajisje të ndryshme dhe materiale të përshtatshme për veprimtarinë e tyre.

Numri i bizneseve në këtë komunë është mbi 4,100.

Ibrahimi: Komunat i kanë liruar bizneset nga taksat komunale

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, tha për Radion Evropa e Lirë se niveli lokal ka ndihmuar në forma të ndryshme bizneset, por jo të gjitha me subvencione. Ai thotë se buxheti i komunave është i limituar që të ndajë mjete financiare për biznese, pasi edhe gjatë këtij viti ka pasur rënie të hyrave vetanake.

“Shumica e komunave kanë bërë veprime të tilla, duke i liruar nga taksat e ndryshme komunale. Jo me subvencione, para të gatshme, por duke liruar nga qiratë apo taksat të ndryshme sepse të hyrat komunale janë zvogëluar dukshëm, të gjitha këto masa të marra për parandalimin e COVID-19 kanë ndikuar në mosinkasimin e të hyrave vetanke”, tha Ibrahimi.

Drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane në Kosovë, Arian Zeka ditë më parë ka thënë se “komunat kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e politikave të ndërmarrësisë”, duke theksuar heqjen e barrierave të të bërit biznes në nivel lokal. Komunat, ka thënë ai, duke ndikuar edhe përmes ndarjes së fondeve për nxitje të ndërmarrësisë, mund të shërbejnë si motivues për qëndrimin e të rinjve brenda Kosovës.

Tridhjetë e tetë komunat e Kosovës, për vitin 2020 kanë planifikuar të hyra në vlerë rreth 83 milionë eurosh, por kjo do të jetë e paarritshme, thuhet në një hulumtim që ka bërë Instituti për Studime të Avancuara (GAP).

Qeveria e Kosovës, në Pakon e parë emergjente fiskale pati ndarë 10 milionë euro për komunat e Kosovës që do të shfrytëzohen për tejkalimin e pasojave të krijuara nga masat e ndërmarra për parandalimin e përhapjes së mëtejme të koronavirusit.

Kurse për të rikuperuar humbjet dhe për të mbajtur punëtorët në punë, bizneset në nivel vendi janë ndihmuar nga Fondi për rimëkëmbje ekonomike i Qeverisë së Kosovës.

Nga ky Fond janë ndarë 60 milionë euro, kurse bizneset kanë përfituar varësisht nga numri i punëtorëve që kanë pasur të regjistruar Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), në muajin dhjetor të vitit 2019.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG