Ndërlidhjet

Komuna dhe “Pastrimi” përplasen për faturat e grumbullimit të mbeturinave në Prishtinë


Gjendja e krijuar nga mbeturinat në Prishtinë, 3 shkurt 2025.
Gjendja e krijuar nga mbeturinat në Prishtinë, 3 shkurt 2025.

Pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në lidhje me menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet më 3 shkurt, banorëve të Prishtinës tani u janë dhënë udhëzime kundërvënëse: Kujt duhet t’ia paguajnë ata faturat për grumbullim të mbeturinave?

Të hënën, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se kompania rajonale publike “Pastrimi”, që është aktualisht kompania e vetme e angazhuar për grumbullimin e mbeturinave në Prishtinë, nuk është treguar efikase në këtë detyrë.

E nxitur nga kjo, Komuna e Prishtinës i udhëzoi sot banorët e kryeqytetit që faturat për grumbullimin e mbeturinave të mos ia paguajnë më kompanisë “Pastrimi”.

“Njoftojmë të gjithë qytetarët e Komunës së Prishtinës se faturat për grumbullimin e mbeturinave të lëshuara nga Ndërmarrja KRM “Pastrimi” nga data 1 janar 2025 nuk janë të obliguar t’i paguajnë”, thuhet në njoftimin e Komunës në Facebook.

Tutje, Komuna e Prishtinës tha se pagesat për këtë shërbim “duhet të realizohen përmes Komunës së Prishtinës deri në një vendim të ri”.

Por, pak orë më vonë, kompania “Pastrimi” e quajti këtë vendim të Komunës “të jashtëligjshëm dhe arbitrat” dhe ftoi banorët e kryeqytetit që t’ia paguajnë vetëm kompanisë faturat e grumbullimit të mbeturinave.

Kontejnerët nuk i zënë mbeturinat... Prishtinë, 3 shkurt 2025.
Kontejnerët nuk i zënë mbeturinat... Prishtinë, 3 shkurt 2025.

Sipas tyre, vendimi i Komunës është i jashtëligjshëm pasi që nuk është marrë ndonjë vendim nga Gjykatat në vend për ta pezulluar rregulloren për menaxhimin e mbeturinave dhe “shkel vendimet e Kuvendit të Prishtinës dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”.

“Një veprim i tillë nuk ka për qëllim përmirësimin e shërbimeve, por vetëm krijimin e një situate kaotike për të justifikuar dhënien e një tenderi 16 milionësh një kompanie private, në dëm të ndërmarrjes publike dhe interesit të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e kompanisë “Pastrimi” në Facebook.

Në njoftimin e publikuar, kjo kompani thotë se do të vazhdojë të ofrojnë shërbimin e mbledhjes dhe menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet.

Gjatë vitit 2024, Komuna po ashtu kishte shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe përkohësisht kishte angazhuar operatorë privatë shtesë për të bërë grumbullimin e mbeturinave në kryeqytet.

Por, sipas kryetarit të Komunës, Përparim Ramës, një angazhim më afatgjatë ishte pamundësuar nga asamblistët opozitarë në Komunë me miratimin e një rregulloreje, e cila “i dha ndërmarrjes ‘Pastrimi’ të drejtën ekskluzive për këtë shërbim”.

Kompania "Pastrimi" është ndërmarrje publike lokale me rreth 900 punëtorë, e cila kryen shërbime për grumbullimin e mbeturinave për disa qytete të Kosovës, përfshirë Prishtinën.

Petrit Reçica, kryeshef i kompanisë “Pastrimi”, kishte reaguar të hënën ndaj deklaratave të zyrtarëve komunalë, duke mohuar kritikat se kompania që e udhëheq nuk po e kryen punën si duhet.

“Ne po punojmë pa pushim 24 orë për 7 ditë të javës, me gjithë këto sfida, dhe nuk dorëzohemi me të vetmin qëllim, që Prishtinën do ta pastrojmë nga mbeturinat”, kishte shkruar Reçica në Facebook.

Ndërmarrjet publike të angazhuara për menaxhimin e mbeturinave nëpër Kosovë shpesh përballen me mungesë kapacitetesh si pasojë edhe e vështirësisë për inkasimin e borxheve nga qytetarët.

Punëtorë të këtyre ndërmarrjeve shpesh kanë protestuar, madje kanë mbajtur edhe greva në lidhje me kushtet e punës dhe pagat e ulëta.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG