Ndërlidhjet

KE: Korrupsioni në Shqipëri, problem serioz


Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, duke ia dorëzuar Raportin e Progresit kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, duke ia dorëzuar Raportin e Progresit kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

Shqipëria ka bërë pak progres në luftën kundër korrupsionit dhe kjo falë punës së Prokurorisë së Posaçme, ndërsa për lirinë e medias nuk sheh asnjë përmirësim.

Kështu tha ambasadori i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, i cili ia dorëzoi kryeministrit shqiptar, Edi Rama, Raportin e Progresit të hartuar nga Komisioni Evropian.

Gonzato tha se KE-ja vëren angazhimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian si përparësi kryesore strategjike. Gjithashtu, sipas tij, KE-ja vlerëson harmonizimin e plotë me politikat e jashtme të BE-së.

Ai tha se nëse hapi i reformave përshpejtohet, Shqipëria mund t'ia dalë të hapë të gjithë grup-kapitujt deri në fund të vitit 2025.

Shqipëria ka hapur kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian më 15 tetor.

Pasi renditi fushat ku Shqipëria ka bërë përparim, ambasadori u ndal te çështjet që shihen me shqetësim nga Komisioni Evropian.

"Sa i përket kriterit politik, vlerësohet se funksionimi i institucioneve demokratike është pjesërisht i kënaqshëm, kryesisht për shkak të situatës thellësisht të polarizuar politike që ndikon negativisht në aftësinë e Parlamentit për të luajtur rolin e vet dhe po rezulton edhe në vonesa në emërimin e individëve në poste kyçë”, tha Gonzato.

Ai e cilësoi urgjente nevojën për të rindërtuar një dialog konstruktiv dhe gjithëpërfshirës politik, duke e vlerësuar si thelbësor për mundësinë për të realizuar reformat e lidhura me BE-në.

Korrupsioni mbetet sërish shqetësim serioz, përparimi që është shënuar vlerësohet se vjen falë punës së SPAK-ut, ndërsa ka shqetësim për politikën që përpiqet të ndërhyjë.

“Korrupsioni mbetet shqetësim serioz. Raporti vëren disi progres në luftën kundër korrupsionit dhe kjo ndodh për shkak të punës së shkëlqyer të SPAK-ut, i cili ka vazhduar të prodhojë rezultate konkrete përshirë edhe për çështje ndaj politikanëve dhe zyrtarëve të nivelit të lartë. Edhe në luftën kundër krimit të organizuar, KE-ja sheh disi progres, por edhe kjo falë punës së SPAK-ut. Shqetësimet mbeten sa i përket orvatjeve për ndërhyrje dhe trysni politike në sistemin gjyqësor”, tha ambasadori i BE-së.

Gonzatoi shprehu keqardhje që nuk ka asnjë përmirësim për lirinë e shprehjes.

“Për fat të keq nuk ka asnjë progres sa i përket lirisë së shprehjes, sidomos për çështje që kanë të bëjnë mbi vendosjen e interesave të biznesit, medias, politikës në këtë drejtim, dhe kushtet problematike të punës së gazetarëve”, theksoi ambasadori i BE në Tiranë.

Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e cilësoi Raportin e Progresit real dhe të balancuar. Ai tha se janë vlerësuar të gjitha përpjekjet që ka bërë Shqipëria për të arritur progres në rrugën drejt BE-së e gjithashtu tregon qartë çështjet ku duhet fokusuar për përmirësim.

Rama u ndal më shumë në arritjet e shënuara, si vlerësimi për rritjen ekonomike, procesin e digjitalizimit, reformat në fushën e energjisë, si dhe vlerësimin maksimal për politikën e jashtme.

"Nga viti në vit marrim nota të mira, por jemi shumë të vetëdijshëm se për notën maksimale kemi ende shumë punë për të bërë”, tha Rama.

I pyetur për zhvillimet e fundit politike që lidhen me aksionin opozitar, Rama tha se Qeveria shqiptare është e hapur për diskutime, ndërsa ambasadori i BE-së tha se shpreson që të gjendet rruga për të riangazhuar opozitën, por kjo kërkon angazhimin e dy palëve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG