Ndërlidhjet

Komandanti i KFOR-it: Vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi kërkon kurajë dhe angazhim të palëve


Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash. Fotografi nga arkivi.
Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash. Fotografi nga arkivi.

Komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Ulutash, tha se vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë mbetet thelbësor, por tha se kërkon kurajë dhe angazhim të sinqertë nga të dyja palët. Sipas tij, kjo është e mundur që të arrihet.

“Ky dialog nuk është thjesht një domosdoshmëri politike, por edhe një imperativ moral për hir të brezave të ardhshëm”, tha Ulutash.

Gjatë një adresimi në Bruksel, në selinë e NATO-s, në përmbyllje të mandatit të tij në krye të KFOR-it, Ulutash tha se procesi i dialogut po vazhdon të përballet me pengesa.

“Fatkeqësisht, ka ende shumë sfida. Ende ka tensione dhe mosbesim mes komuniteteve që po pengojnë përparimin. Dialogu politik mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të përballet me pengesa. Në këtë drejtim, NATO dhe KFOR mbështet plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian si kornizë për një zgjidhje afatgjatë për çështjet e pazgjidhura. Mbes optimist se me durim, përkushtim dhe qasje konstruktive nga të dyja palët, këto pengesa mund të tejkalohen”, tha ai, sipas një njoftimi për media.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë udhëtuan në Bruksel më herët këtë muaj, por ata nuk mbajtën takim të përbashkët, për shkak të mospajtimeve rreth temave që do të duhej t’i shtjellonin.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar për herë të fundit më 14 shtator të vitit 2023, për shkak të mospajtimeve të dukshme.

Duke folur për situatën e sigurisë, Ulutash tha se KFOR-i ka punuar me të gjitha komunitetet për t’iu ofruar mjedis të sigurt. Ai tha se gjatë udhëheqjes së KFOR-it, ka mbikëqyrur koordinimin në një sërë fushash me BE-në, OSBE-në, OKB-në, institucionet e Kosovës dhe me komandantin e Forcave të Armatosura të Serbisë.

“Ky bashkëpunim mbetet kritik për të mirën e sigurisë në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin e rajonit”, tha ai.

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës që është e para dhe pas misionit të BE-së për sundim të ligjit, EULEX.

Misioni i NATO-s në Kosovë po ashtu është përgjegjës për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë. Ndërsa, pjesën tjetër të vijës kufitare e mbikëqyr Policia e Kosovës.

Së fundi, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur për shkak të një sërë vendimesh të Qeverisë së Kosovës në pjesën veriore të shtetit – të banuar me shumicë serbe – që Qeveria e Kosovës thotë se i ka ndërmarrë për të vendosur sundimin e ligjit. Faktori ndërkombëtar i ka cilësuar si veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara.

KFOR-i disa herë kohëve të fundit ka deklaruar se është i gatshëm të ndërmarrë “çdo veprim të nevojshëm” për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi që mund të ndikojë në sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG