Ndërlidhjet

Kisha Ortodokse Serbe mohon akuzat se po diskutohet statusi i saj në Kosovë


Manastiri i Kishës Ortodokse Serbe në Graçanicë, qytezë rreth 10 kilometra larg Prishtinës.
Manastiri i Kishës Ortodokse Serbe në Graçanicë, qytezë rreth 10 kilometra larg Prishtinës.

Dioqeza e Rashkës – Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë i ka mohuar akuzat publike se janë duke u zhvilluar negociata me institucionet e Kosovës për një "marrëveshje themelore".

"Asnjë tekst, draft apo propozim që trajton çështjen e statusit të Kishës Ortodokse Serbe si 'palë kontraktuese' në marrëdhëniet me Qeverinë e Kosovës, nuk ka ekzistuar kurrë, as nuk është në proces shqyrtimi nga ndonjë organ i Kishës, as nuk i është paraqitur ndonjëherë shenjtërisë së tij, patriarkut, apo Dioqezës së Rashkës - Prizrenit", deklaroi dioqeza në një deklaratë të lëshuar më 1 gusht.

“Aludimi se Kisha do të pranonte një marrëveshje të tillë për të hapur rrugën për formimin e një ‘Kishe Ortodokse të Kosovës’, e cila në të ardhmen 'do t’i merrte vendet e shenjta serbe’, përfaqëson një shpifje jashtëzakonisht të paturpshme kundër Kishës sonë".

Partia e krahut të djathtë në Serbi, Lëvizja për Ripërtëritjen e Mbretërisë së Serbisë (POKS), i ka bërë thirrje Kishës Ortodokse Serbe, më 30 korrik, që të mos e pranojë marrëveshjen themelore të ofruar nga institucionet e Kosovës, në përputhje me marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

POKS është pjesë e grupit parlamentar në Parlamentin serb, brenda koalicionit NADA.

Kjo parti ka deklaruar se marrëveshja për statusin e Kishës Ortodokse Serbe dyshohet se bazohet në nivelin e dy palëve të pavarura, kontraktuese, dhe se ajo duhej të deklarohej më 30 korrik.

Ndërkohë, më 31 korrik, selia e Kishës Ortodokse Serbe në Beograd i ka mohuar këto akuza, duke vënë në dukje se pozicioni ligjor i Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë nuk mund të negociohet, dhe se Kisha Ortodokse Serbe nuk mund të "jetë pjesë e asnjë negociate dhe marrëveshjeje politike mbi statusin e Kosovës dhe Metohisë".

"Respektimi dhe mbrojtja e të drejtave njerëzore dhe, në veçanti, fetare përfaqëson vlerë universale qytetëruese, sepse këto të drejta u përkasin të gjithëve dhe duhet t'iu garantohen Kishës Serbe dhe popullit të saj besimtar", thuhet në deklaratë. Gjithashtu theksohet se Kisha Ortodokse Serbe nuk kërkon "të drejta të veçanta" askund, përfshirë edhe në Kosovë.

"Kisha Ortodokse Serbe nuk mund të pranojë asnjë model ligjor dhe politik që bie ndesh me ungjillin dhe ekzistencën e saj tetëshekullore në Kosovë dhe Metohi", thuhet në deklaratën e Kishës.

Më 19 mars 2023, Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtueshmëri në Ohër për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Neni 7 i marrëveshjes përcakton, ndër të tjera, se palët "do të formalizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të sigurojnë një nivel të fortë mbrojtjeje për trashëgiminë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane".

Aneksi i zbatimit të marrëveshjes përcakton se negociatat do të fillojnë menjëherë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, me qëllim të zbatimit të Nenit 7, i cili parasheh vetëqeverisje të komunitetit serb në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi Bashkimin Evropian, Qeverinë e Kosovës dhe Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, dhe është në pritje të përgjigjeve nëse po zhvillohen bisedime mbi statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe si e shohin ata qëndrimin e Kishës se ajo nuk mund të jetë pjesë e marrëveshjeve.

Bashkimi Evropian ka deklaruar më parë, në disa raste, se duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Palët janë pajtuar që marrëveshja për normalizim marrëdhëniesh dhe aneksi i zbatimit, do të bëhen pjesë integrale e procesit të anëtarësimit të Serbisë dhe Kosovës në Bashkimin Evropian.

Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë tashmë ka një lloj të caktuar mbrojtjeje.

Në vitin 2008, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Ligjin për Zonat e Mbrojtura Speciale, i cili synon të sigurojë mbrojtjen e manastireve, kishave dhe vendeve të tjera fetare ortodokse serbe në Kosovë, si dhe të mbrojë vendet e tjera kulturore dhe historike me rëndësi të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Ligji ndalon ndërtimin ose zbatimin e projekteve infrastrukturore në zonat e mbrojtura speciale, prandaj edhe ishte pezulluar ndërtimi i autostradës Deçan-Plavë, për t’u arritur një marrëveshje tjetër për rrugë anësore përreth zonës së mbrojtur.

Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë e ka pezulluar çdo bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës në qershor 2022 sepse, siç deklaruan pjesëtarë të saj, autoritetet e Kosovës po kryejnë "fushatë sistematike diskriminimi dhe armiqësie të hapur ndaj Kishës Ortodokse Serbe".

Një nga arsyet e mosbashkëpunimit ishte se Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë beson se autoritetet e Kosovës po e trajtojnë atë si një institucion politik, ose dikë përmes të cilit ushtrohet ndikim politik, çka, sipas saj, nuk ka bazë.

Ky bashkëpunim, të paktën publikisht, nuk është rikthyer as pasi Qeveria e Kosovës i kërkoi Agjencisë Kadastrale të Kosovës vitin e kaluar të zbatojë vendimin e vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për kthimin e tokës në Manastirit të Deçanit të Kishës Ortodokse Serbe.

Ky vendim nga Qeveria erdhi mes sinjaleve se mund të jetë vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës - organizatë në të cilën nuk mundi të bëhej pjesë.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG