Klinika e Kirurgjisë Pediatrike, brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës është qendra e vetme terciare në Kosovë, që merret me trajtimin e ndërhyrjeve kirurgjikale te fëmijët e porsalindur e deri tek ata të moshës 16-vjeçare. Këtu përfshihen sëmundjet akute kirurgjike dhe anomalitë e ndryshme.
Megjithëkëtë, janë disa intervenime kirurgjike, të cilat në këtë qendër nuk mund të kryhen pa ndihmën e mjekëve të huaj.
Ministria e Shëndetësisë, por edhe vetë Klinika Kirurgjike, ka bërë marrëveshje me mjekë të huaj që të vijnë në Kosovë dhe të operojnë fëmijë me anomali të ndryshme të ndërlikuara.
Murat Berisha drejtor i Klinikës Kirurgjike, thotë se në këtë klinikë punojnë trembëdhjetë kirurgë, për 35 shtretër. Gjatë ditës, në këtë klinikë operohen deri në pesë fëmijë.
“Kirurgët janë të përgatitur mirë profesionalisht dhe kryhen operacione, në përjashtim të kardiokirurgjisë dhe ortopedisë. As anomalitë e lindura komplekse nuk kryhen te ne, por falë disa mjekëve të huaj, të cilët vijnë te ne dhe i kryejnë këto operacione, duke kursyer kështu edhe prindërit e fëmijëve që të mos i marrin këto shërbime jashtë vendit”, bën të ditur Berisha.
Familjarët e fëmijëve thonë se operacionet e ndërlikuara që kanë kryer në Qendrën Klinike, ua kanë kursyer buxhetin familjar, por edhe kohën, pasi në të kundërtën, do të detyroheshin që të shkonin jashtë Kosovës për intervenim.
E ëma e një pacienteje me sëmundje të rrallë, tregon se vajza e saj është operuar dhe është mirë falë një mjeku të huaj që ka ardhur në Kirurgjinë e fëmijëve në Prishtinë.
“Vajza ime e ka pasur një sëmundje të rrallë me zorrët, e që i ka shkaktuar shumë probleme shëndetësore. Më kanë thënë që mjekët në Kosovë nuk mund ta operojnë për shkak se nuk kanë pasur përvojë të tillë me sëmundjen. Por, më pas më kanë thënë se do të vijë një mjek i huaj dhe do ta operojë vajzën, pasi është përzgjedhur si paciente me sëmundje të rrallë”.
“E kanë operuar, tash është mirë dhe jemi shumë falënderues, pasi jashtë vendit nuk kam pasur mundësi ta dërgoj, sepse çdo shumë ka qenë e papërballueshme për familjen tonë. As barna nuk kemi blerë, pasi të gjitha i kanë pasur në klinikë”, tregon Zahide Lama.
Sa u përket barnave dhe materialit shpenzues, Murat Berisha thotë se janë të furnizuar mirë, por për kushtet e punës, ai beson se ato do të duhej përmirësuar.
“Kemi dy salla të operacionit, të cilat punojnë çdo ditë paradite, kurse salla emergjente punon 24 orë, e që është e përgjithshme. Listë të pritjes ka, por vetëm për raste jo urgjente. Maksimum janë 15 fëmijë që presin derisa iu vjen radha, por gjithsesi se këto nuk paraqesin rrezik. Kjo ndodh pasi jemi qendër terciare dhe e vetmja në gjithë Kosovën”, thekson ai.
Ndryshe, operacionet e zemrës te fëmijët vazhdojnë të mos bëhen në Kosovë. Numri i fëmijëve që lindin me anomali të ndryshme në zemër, thuhet se arrin deri në 400 në vit. Prej tyre, rreth 200 fëmijë kanë nevojë për intervenim kirurgjik, shërbim të cilin u duhet ta marrin jashtë vendit.
Albatrit Matoshi, këshilltar për media i Ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili, bëri të ditur se Ministria e Shëndetësisë, respektivisht Fondi i Sigurimit Shëndetësor, do të vazhdojë të mbështesë për trajtim jashtë institucioneve publike ato raste, të cilat nuk mund të trajtohen ende në sistemin publik, pas rekomandimeve të konsiliumeve profesionale të klinikave përkatëse dhe me dëshmi të qarta se nuk mund të trajtohen në sistemin publik shëndetësor.
“Gjatë vitit 2018, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, përmes Programit të Trajtimit Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike, ka financuar mjekimin e rasteve mevlerë prej rreth 9 milionë eurosh. Megjithatë, në kuadër të sigurimit të mjekimit për fëmijët jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore, po punohet shumë përmes përmirësimit të kushteve, që fëmijët tanë të mos kenë nevojë më të dalin jashtë vendit për çfarëdo lloj rasti”, thotë Matoshi.
Brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, tashmë është duke u ndërtuar Spitalit Pediatrik-Kirurgjik, i cili do të ketë një sipërfaqe prej rreth 10 mijë metrash katrorë. Kostoja e këtij spitali është rreth 20 milionë euro dhe është donacion i Emirateve të Bashkuara Arabe.