Ndërlidhjet

Kina i përgjigjet SHBA-së me tarifë tregtare prej 34 për qind


Një grua ec pranë flamurit kinez dhe atij amerikan, të ekspozuar pranë një dyqani në Pekin, më 31 janar 2025.
Një grua ec pranë flamurit kinez dhe atij amerikan, të ekspozuar pranë një dyqani në Pekin, më 31 janar 2025.

Kina njoftoi të premten se do të vendosë tarifë prej 34 për qind në importet e të gjitha produkteve amerikane duke filluar nga 10 prilli. Kjo tarifë është pjesë e një sërë masash nga Pekini pas njoftimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për tarifa ndaj mallrave kineze.

Ditë më parë, Trump urdhëroi tarifë të ngjashme prej 34 për qind ndaj mallrave të importuara nga Kina.

Ministria e Tregtisë e Kinës tha gjithashtu se do të vendosë më shumë kontrolle mbi eksportet e mineraleve të rralla, të cilat përdorën në produkte të teknologjisë së lartë, si çipat kompjuterikë dhe bateritë e automjeteve elektrike.

Në listën e mineraleve që u nënshtrohen kontrolleve u përfshinë samariumi dhe përbërjet e tij, të cilat përdoren në prodhimin e aeroplanëve dhe në sektorin e mbrojtjes.

Administrata doganore e Kinës tha se i ka pezulluar importet e mishit të pulës nga disa furnizues amerikanë, pasi kishte zbuluar furazolidon, një substancë e ndaluar në Kinë, në dërgesat nga ato kompani.

Për më tepër, Qeveria kineze tha se i ka shtuar 27 kompani në listat e subjekteve që u nënshtrohen sanksioneve tregtare ose kontrolleve të eksportit.

Pekini gjithashtu njoftoi se ka dorëzuar padi në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) në lidhje me çështjen e tarifave.

"Vendosja e të ashtuquajturave 'tarifa reciproke' nga Shtetet e Bashkuara shkel rëndë rregullat e OBT-së, dëmton seriozisht të drejtat dhe interesat legjitime të anëtarëve të OBT-së dhe minon rëndë sistemin shumëpalësh të tregtisë dhe rendin ekonomik dhe tregtar ndërkombëtar", tha Ministria kineze e Tregtisë.

"Ky është veprim i trysnisë së njëanshme që rrezikon qëndrueshmërinë e rendit ekonomik dhe tregtar në botë. Kina e kundërshton fuqishëm këtë", shtoi ajo.

Në shkurt, Kina vendosi tarifë prej 15 për qind ndaj importeve të qymyrit dhe produkteve të gazit natyror të lëngshëm nga SHBA-ja. Ajo gjithashtu shtoi veçmas një tarifë prej 10 për qind ndaj naftës së papërpunuar, makinerisë bujqësore dhe makinave me motorë të mëdhenj.

Dhjetëra kompani amerikane u nënshtrohen kontrolleve mbi tregtinë dhe investimet, ndërsa shumë më tepër kompani kineze përballen me kufizime të ngjashme në marrëdhëniet e tyre me firmat amerikane.

Tarifat më të fundit zbatohen për të gjitha produktet e prodhuara në SHBA, sipas një deklarate nga Komisioni i Tarifave i Këshillit të Shtetit të Ministrisë së Financave.

Derisa tensionet tregtare janë shtuar, marrëdhëniet e përgjithshme duken disi më pak të tensionuara.

Zyrtarë ushtarakë nga SHBA-ja dhe Kina u takuan këtë javë për herë të parë që nga ardhja e Trumpit në pushtet në janar, për të biseduar rreth shqetësimeve të përbashkëta mbi sigurinë detare.

Bisedimet e mbajtura të mërkurën dhe të enjten në Shangai kishin për qëllim minimizimin e rrezikut të incidenteve, thanë të dyja palët.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG