Sistemet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës e kanë zmbrapsur “sulmin më masiv të vitit 2024” në kryeqytetin ukrainas, thanë zyrtarët.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje partnerëve perëndimorë të Kievit të marrin “vendime të guximshme” dhe t’i ofrojnë vendit të tij resurse të mjaftueshme për t’i mbrojtur plotësisht qiejt e vet nga sulmet ruse.
Forca Ajrore e Ukrainës tha të mërkurën se kundërajrorët e saj i shkatërruan që të gjithë 89 dronët mbi kryeqytet, si dhe një raketë X-95, gjatë një sulmi ajror që zgjati më shumë se shtatë orë.
Rusia kreu dy valë sulmesh me dronë mbi Kiev nga të gjitha drejtimet.
“Ky është njëri prej sulmeve më masive me dronë”, tha komandantin i Forcës Ajrore të Ukrainës, gjenerali Mykola Oleschuk, në Telegram.
Zelensky shkroi në rrjetin social X se zmbrapsja e këtij sulmi është “rezultat i rëndësishëm” dhe dëshmi se “ukrainasit mund t’i mbrojnë plotësisht qiejt e tyre nga sulmet ruse kur kanë mjaftueshëm resurse”.
Ai iu lut përsëri aleatëve të Ukrainës të vazhdojnë t’i dërgojnë vendit të tij armatim shumë të nevojshëm për t’i mbrojtur qytetet e veta, si dhe raketa për të kryer sulme thellë brenda Rusisë.
“Nevojiten vendime të guximshme nga partnerët – sisteme të mjaftueshme kundërajrore. Ukraina do të bëjë gjithçka në mënyrë të drejtë dhe të saktë”, shkroi Zelensky.
Sulmi ishte i shtati që është kryer ndaj Kievit gjatë këtij muaji, tha Popko, duke shtuar se “aktualisht, sipas raportit operacional, nuk ka viktima e as dëme në Kiev”.
Shërbimi emergjent i Ukrainës tha se një rajonin e Kievit një shtëpi u përshi nga zjarri nga copëzat e dronëve të shkatërruar, dhe shtëpia pësoi dëme. Megjithatë, autoritetet nuk raportuan për viktima dhe shtuan se zjarri u shua.
Ndërkaq, autoritetet në Donjeck thanë se një person u vra në qytetin Toretsk, si pasojë e granatimeve ruse, ndërkaq tre civilë po ashtu u vranë nga sulmet ruse në Harkiv.
Në Herson një person u vra dhe një tjetër u plagos nga granatimet ruse, thanë autoritetet ukrainase.
Që kur Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 2022, forcat e Moskës në mënyrë sistematike kanë sulmuar infrastrukturën civile dhe atë të energjisë të Ukrainës, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe viktima.
Ukraina, ndërkaq ka sulmuar rafineritë e naftës dhe infrastrukturën tjetër të energjisë brenda Rusisë.