Ndërlidhjet

Khamenei ngul këmbë se votuesit që bojkotuan zgjedhjet nuk janë kundër republikës islamike


Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Khamenei, voton në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Iran, 28 qershor 2024.
Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Khamenei, voton në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Iran, 28 qershor 2024.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Khamenei, është ankuar për daljen e ulët rekorde në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Iran javën e kaluar, por ka ngulur këmbë se ajo nuk pasqyron popullaritetin e republikës islamike.

Khamenei tha të mërkurën se balotazhi i 5 korrikut mes reformistit Maasud Pezeshkian dhe kandidatit të së djathtës ekstreme, Saeed Jalili, është “shumë i rëndësishëm” dhe u bëri thirrje qytetarëve të dalin në votim.

“Ata të cilët e duan islamin dhe republikën islamike, si dhe përparimin e vendit, duhet ta tregojnë këtë duke marrë pjesë në zgjedhje”, tha 85-vjeçari, i cili e ka fjalën e fundit për çdo çështje shtetërore.

Khamenei tha se dalja në zgjedhje prej 40 për qind në rundin e parë më 28 qershor “nuk ishte e pritshme”, por shtoi se “është plotësisht gabim të mendosh se ata të cilët nuk votuan në rundin e parë janë kundër sistemit”.

Megjithatë, gjatë një fjalimi më 2001, Khamenei ishte tallur me pjesëmarrjen në zgjedhje prej 40 për qind në vendet e Perëndimit, duke e cilësuar si të “turpshme” dhe duke thënë se kjo ishte shenjë se “populli nuk i beson sistemit politik dhe se nuk mban shpresa në të”.

Pezeshkian i fitoi rreth 42.5 për qind të votave në rundin e parë të votimit, ndërsa rivali i tij Jalili përfundoi i dyti me 38.6 për qind.

Vota e konservatorëve u nda mes Jalilit dhe kryetarit të Kuvendit, Mohammad Baqer Qalibaf, i cili doli i treti me 13.8 për qind të votave.

Asnjë kandidat nuk fitoi mjaftueshëm vota për t’u zgjedhur president, prandaj u caktua një balotazh për 5 korrik.

Aktivistët dhe kundërshtarët bënë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve, duke argumentuar se zgjedhjet e kaluara kanë dështuar të sjellin ndryshime.

Pjesëmarrja në zgjedhje në Iran ka pësuar rënie prej vitit 2020, e shkaktuar pjesërisht nga zemërimi i rritur për mungesën e lirisë, dhe si pasojë e ekonomisë së dobët dhe përkeqësimit të kushteve të jetesës.

Zgjedhjet në republikën islamike janë të kontrolluara, pasi kandidatët përzgjidhen paraprakisht nga një trup i pazgjedhur, i cili është i mbizotëruar nga konservatorët e krahut të ashpër.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG