Lideri suprem i Iranit, që mbështet dy grupet që po luftojnë kundër Izraelit në Gazë dhe Liban, tha se duhet që udhëheqësve izraelitë t’iu shqiptohen dënime me vdekje, e jo t’iu lëshohen fletarrestime.
Ajatollah Ali Khamenei i bëri këto deklarata teksa po komentonte fletarrestimet e lëshuara nga Gjykata Ndërkombëtare Penale më 21 nëntor për kryeministrin Izraelit, Benjamin Netanyahu, ish-ministrin e tij të Mbrojtjes dhe një udhëheqës ushtarak të Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
“Ata lëshuan fletarrestime. Ato nuk mjaftojnë... Duhet të shqiptohen dënime me vdekje për këta udhëheqës kriminalë”, tha Khamenei, duke iu referuar udhëheqësve izraelitë.
Në vendimin e tyre, gjyqtarët thanë se ka prova të bazuara për të besuar se Netanyahu dhe Yoav Gallant kanë përgjegjësi penale për aktet që përfshijnë vrasje, përndjekje dhe përdorimin e urisë si armë të luftës, si pjesë e “sulmit të gjerë dhe sistematik kundër popullatës civile në Gazë”.
Vendimi i GJNP-së shkaktoi zemërim në Izrael, shtet që e quajti këtë vendim absurd. Banorët e Gazës u shprehën se fletarrestimet mund të ndihmojnë në ndaljen e dhunës dhe të sjellin para drejtësisë përgjegjësit për krimet.
Izraeli ka thënë se GJNP-ja, me seli në Hagë, nuk ka juridiksion dhe ka mohuar se kryen krime të luftës në Gazë.
Fletarrestimi për udhëheqësin e Hamasit, Ibrahim Al-Mastri, thotë se ai akuzohet për vrasje masive gjatë sulmit të 7 tetorit 2023 kundër Izraelit, që nxiti luftën në Gazë. Ai po ashtu akuzohet për përdhunim dhe marrje të pengjeve.
Masri, i njohur edhe si Mohammed Deif, në korrik u raportua se u vra gjatë një sulmi izraelit. Por, Hamasi nuk e ka konfirmuar e as mohuar këtë gjë.