Ndërlidhjet

Këshilli Danez për Refugjatët largohet nga gjashtë vende, përfshirë Kosovën


Refugjatë sirianë duke marrë ndihma nga Këshilli Danez për Refugjatët. Fotografi nga arkivi.
Refugjatë sirianë duke marrë ndihma nga Këshilli Danez për Refugjatët. Fotografi nga arkivi.

Këshilli Danez për Refugjatët (DRC) - një organizatë e madhe humanitare - njoftoi të mërkurën se do t’i mbyllë programet e ndihmës në gjashtë vende, ndër to edhe Kosova, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë ndërprerë financimin e tij.

SHBA-ja është donatori i dytë më i madh i DRC-së, e cila njoftoi gjithashtu se do t’i mbyllë edhe 650 vende të tjera pune.

DRC-ja, e cila ofron ndihmë për refugjatët dhe të zhvendosurit nga konfliktet dhe fatkeqësitë natyrore, tha se tkurrja e ndihmës amerikane do të çojë në “vuajtje dhe vdekje të panumërta”.

"Shkalla e krizës së tanishme të financimit kërkon që DRC-ja të përshtatet, të rinovohet dhe të përgatitet për një botë ku ndihma amerikane nuk do të rikthehet më", thuhet në komunikatën e grupit danez.

"Humbja e partnerit tonë të dytë më të madh të financimit do të thotë zvogëlim të pranisë sonë globale; mbi të gjitha, është një goditje për miliona njerëz të zhvendosur nga konfliktet, fatkeqësitë dhe ndryshimet klimatike", theksoi grupi.

Rreth 20 për qind e buxhetit të DRC-së vinte nga SHBA-ja.

Vendet e tjera ku DRC-ja po i përfundon programet përveç Kosovës janë edhe Burundi, Republika Qendrore Afrikane, Gjeorgjia, Meksika dhe Tanzania.

DRC-ja do të mbetet e pranishme në 28 vende të tjera.

Këshilli Danez për Refugjatët në Kosovë

Këshilli Danez për Refugjatët ka vepruar në mënyrë të pandërprerë në Kosovë që nga viti 1998, sipas ueb-sajtit të këshillit.

Prej vitit 2003, DRC-ja ishte përqendruar gjithnjë e më shumë në kthimin e pakicave në Kosovë, një prioritet programor.

Ajo gjithashtu ka punuar në krijimin e një procesi të qëndrueshëm dhe afatgjatë të kthimit në Kosovë, duke synuar jo vetëm nevojat fizike të refugjatëve dhe personave të zhvendosur të kthyer, por edhe riintegrimin dhe zhvillimin social e ekonomik, përmirësimin e kushteve të jetesës, objekteve dhe mundësive për të dy komunitetet – pritëse dhe kthyer, sigurinë dhe dialogun ndëretnik, thuhet në ueb-sajtin e saj.

Nga viti 2003, DRC-ja i ka kthyer 778 familje me gjithsej 2945 individë në Kosovë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG