Ndërlidhjet

KEK ngul këmbë se s’do të ketë ndërprerje të rrymës, pas paralajmërimeve nga KESCO


Një person mban në duar në poç elektrik gjatë një proteste kundër shtrenjtimit të rrymës në Prishtinë. Fotografi nga arkivi.
Një person mban në duar në poç elektrik gjatë një proteste kundër shtrenjtimit të rrymës në Prishtinë. Fotografi nga arkivi.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka ngulur këmbë se nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike në vend gjatë fundjavës, pak orë pasi kompania për furnizim me rrymë, KESCO, paralajmëroi se do të kishte mungesë të theksuar të prodhimit vendor dhe kërkoi nga qytetarët ta kursejnë atë.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Gramos Hashani, tha se KEK-u do ta vazhdojë prodhimin edhe të shtunën, megjithëse vetëm 110 megavat në orë përmes njësisë A3.

“Nuk do të ketë ndërprerje të energjisë, këtë ta keni të qartë. KEDS dhe KESCO janë të detyruara ligjërisht të blejnë rrymë në mungesë të rrymës nga kapacitetet tona”, tha Hashani në një konferencë për shtyp të premten në mbrëmje.

KEK – i cili është korporata shtetërore dhe prodhuesi mbizotërues i rrymës në vend – mund t’i prodhojë deri në 800 megavate në orë, kurse nevojat e vendit, në një ditë dimri për shembull, arrijnë deri në 1.300 megavate në orë.

Kosova importon rrymë për t’i mbuluar mungesat, por ka edhe prodhim vendor përmes burimeve të ripërtërishme, megjithëse në sasi më të vogla.

Hashani tha se të premten korporata i ka prodhuar deri 400 megavat për orë, duke e mbuluar 75 për qind të konsumit gjatë ditës.

“KEK-u përballet me sfida të ndryshme. Por, duhet të jemi shumë të qartë, KEK-u nuk është në kolaps të prodhimit. Prodhimi vendor nuk është ndalur. Derisa na po flasim këtu, njësia A3 është duke i prodhuar 110 megavat në orë, ndërsa njësia B1 është duke i prodhuar 260 megavat në orë”, tha Hashani.

KEK-u thirri konferencë për media disa orë pasi KESCO - kompania për furnizim me rrymë – paralajmëroi për një mungesë të theksuar të prodhimit vendor të energjisë elektrike në ditët në vijim, duke shkaktuar shumë reagime në vend.

“Në rastin më ekstrem, kjo do të nënkuptojë që e gjithë sasia e energjisë elektrike për konsumatorët në Kosovë do të duhet të mbulohet përmes importit”, tha KESCO në Facebook, duke u bërë thirrje konsumatorëve ta kursejnë rrymën.


Ministrja e Ekonomisë në detyrë, Artane Rizvanolli, e vizitoi KEK-un gjatë ditës, nga ku tha se menaxhmenti dhe punonjësit e KEK-ut “na siguruan se janë duke bërë maksimumin” për të rikthyer prodhimin sa më shumë që është e mundur përgjatë ditëve në vijim.

Në një postim në Facebook më vonë, Rizvanolli i quajti lajme të rrejshme raportimet në media se KEK-u nuk po prodhonte fare rrymë të premten.

Hashani tha se KESCO dhe KEDS janë të detyruara ligjërisht të blejnë rrymë në rast kur KEK-u nuk mund të prodhojë mjaftueshëm.

Ai tha se KEK-u i njofton kompanitë për shpërndarjen e rrymës për kapacitetet prodhuese të korporatës një ditë më herët dhe shtoi se “ne do të prodhojmë nesër energji, pra nuk do të ketë 100 për qind importim të rrymës nesër”.

Ekipet e korporatës janë duke punuar në njësitë A3, A4 dhe A5, ndërsa njësia B1 do ta ndalë punën sonte në mesnatë për shkak të rrjedhjeve në kaldajë të cilat duhet të rregullohen.

Hashani tha se “këto probleme trajtohen nga stafi teknik me përkushtim me maksimal” dhe se njësia do të kthehet në punë “brenda 48 orëve”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG