Ndërlidhjet

Alarm i rrejshëm për mjete shpërthyese në shkollën “Xhevdet Doda”


Policia e Kosovës ka vendosur një perimetër sigurie pas kërcënimeve për shpërthime në shkollën "Xhevdet Doda" në Prishtinë.
Policia e Kosovës ka vendosur një perimetër sigurie pas kërcënimeve për shpërthime në shkollën "Xhevdet Doda" në Prishtinë.

Drejtuesi i Shkollës së Mesme "Xhevdet Doda" në Prishtinë, tha se kërcënimi për shpërthime në këtë shkollë, ka rezultuar të jetë i rrejshëm.

Drejtori i "Xhevdet Dodës", Azem Jaha, tha për Radion Evropa e Lirë se policia i kishte njoftuar më herët gjatë 18 majit, që të largohen nga objekti i shkollës.

“Policia ka ardhur në shkollë dhe na ka urdhëruar që për pesë minuta ta lirojmë shkollën. Gjithçka ka shkuar në rregull, nuk ka kurfarë telashe”, tha Jaha.

Ai shtoi se nesër mësimi do të vazhdojë normalisht.

Policia e Kosovës më herët gjatë ditës tha se ka pranuar informatë për një alarm për shpërthime të mundshme në Shkollën e Mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë.

Këto kërcënime kishin ardhur përmes postës elektronike më 18 maj.

Zëdhënësi i policisë, Agron Borovci, tha për Radion Evropa e Lirë se me të pranuar informatën për shpërthime të mundshme, zyrtarët policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur ndërmarrjen e veprimeve operative, të nevojshme për të menaxhuar me situatën në atë zonë.

Policia e Kosovës ka vendosur një perimetër sigurie pas kërcënimeve për shpërthime në shkollën "Xhevdet Doda" në Prishtinë. 18 maj 2022.
Policia e Kosovës ka vendosur një perimetër sigurie pas kërcënimeve për shpërthime në shkollën "Xhevdet Doda" në Prishtinë. 18 maj 2022.

Policia më pas e caktoi një perimetër të sigurisë dhe evakuoi nxënësit dhe personelin e shkollës.

Një alarm për bombë përmes postës elektronike, të martën, më 17 maj, u raportua edhe në objektin e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Rektorati, pasditen e të martës, kishte lajmëruar policinë, pasi kishin pranuar një e-mail anonim, ku thuhej se ishte vendosur bombë në këtë objekt.

Më pas Policia e Kosovës tha se nuk ka gjetur asnjë mjet shpërthyes në këtë objekt.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG