Ndërlidhjet

OBSH: Kequshqyerja në Gazë po prek "nivele alarmante"


Palestinezët duke pritur për pak ushqim në një kuzhinë bamirëse në qytetin e Gazës. Fotografi e 24 korrikut.
Palestinezët duke pritur për pak ushqim në një kuzhinë bamirëse në qytetin e Gazës. Fotografi e 24 korrikut.

Niveli i kequshqyerjes në Rripin e Gazës ka arritur në “nivele alarmante”, ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), dhe që “bllokada e qëllimshme” e ndihmës ka qenë krejtësisht e parandalueshme, por që ka kushtuar me shumë jetë.

“Kequshqyrja është në trajektore të rrezikshme në Rripin e Gazës, edhe për shkak të rritjes së numrit të vdekjeve në korrik”, ka thënë OBSH-ja përmes një deklarate.

Prej 74 vdekjeve të regjistruara më 2025 si pasojë e kequshqyerjes, 63 janë raportuar në korrik, përfshirë 24 fëmijë nën pesë vjeç, një tjetër mbi pesë vjeç dhe 38 të rritur.

Teksa ndihmat bien nga qielli, palestinezët kalojnë "nëpër ferr" për një thes miell
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:01:29 0:00

“Shumica e këtyre njerëzve janë shpallur të vdekur sapo kanë arritur në qendrat shëndetësore, ose kanë vdekur pas një kohe të shkurtër, dhe trupat e tyre kanë treguar shenja të rënda të lodhjes”, ka thënë kjo agjenci e Kombeve të Bashkuara.

“Kriza vazhdon të jetë krejtësisht e parandalueshme. Bllokimi i qëllimshëm dhe vonesa e madhe e ushqimit dhe ndihmës shëndetësore e humanitare ka kushtuar me shumë jetë”.

Izraeli ka bërë të ditur të dielën për një “pauzë të kufizuar taktike” në operacionet ushtarake, për t’i lejuar Kombet e Bashkuara dhe agjencitë për ndihmë që ta luftojnë krizën e thellë të urisë.

Ndërkohë, Jordania ka thënë të dielën se ka punuar me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe i kanë gjuajtur nga ajri 25 tonë ndihma në Gazë.

Të mërkurën, shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus e ka përshkruar situatën si “uri masive të shkaktuar nga dora e njeriut”.

Izraeli e ka nisur fushatën ushtarake në Gazë në përgjigje të sulmit të kryer nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, si pasojë e të cilit janë vrarë 1.200 njerëz dhe janë marrë peng rreth 240 të tjerë.

Hamasi është i shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera.

Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, mbi 59.000 palestinezë janë vrarë në Gazë prej atëherë.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG