Ndërlidhjet

Kallas në Beograd: Serbia duhet ta dëshmojë se e ka përnjëmend anëtarësimin në BE


Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas në Beograd.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka thënë se Serbia duhet ta dëshmojë me vepra dhe reformat se synon vërtet të anëtarësohet në BE.

Duke folur në një konferencë për media në Beograd, Kallas tha se me zyrtarë të lartë serbë bisedoi për anëtarësimin në BE, dialogun e Brukselit dhe çështje të tjera.

“Është e qartë se anëtarësimi në BE mbetet synim strategjik i Serbisë, megjithatë, dua të theksoj se ne duhet të shohim veprime që e dëshmojnë këtë dhe i mbështesin këto fjalë. Reformat janë ato që tregojnë se si Serbia do të ecë përpara në rrugën e saj drejt BE-së”, tha Kallas.

Ajo theksoi se përparimi duhet të ndodhë “këtu në Beograd" dhe shtoi se hapat e radhës që Serbia duhet t’i ndërmarrë janë shumë të qartë, dhe ata përfshijnë lirinë e medias, luftën kundër korrupsionit dhe reformat zgjedhore.

“Reformat do të sjellin përfitime të vërteta për qytetarët dhe popullin e Serbisë, siç kanë kërkuar qindra mijëra studentë kanë kërkuar në javët e fundit. Autonomia e universiteteve duhet të respektohet. E ardhmja e Serbisë në BE varet nga vlerat që ajo zgjedh t'i ndjekë”, tha ajo.

Kallas nënvizoi se lidhjet e Serbisë me fqinji e saj, Kosovën, nuk kanë të bëjnë vetëm me përmirësimin e marrëdhënieve, por janë “vendimtare” për të ardhmen e Serbisë në BE.

“Ka ardhur koha të tejkalohet e kaluara dhe të përqendroheni në të ardhmen e përbashkët. Planifikoj t’i ftoj në Bruksel përfaqësuesit e Beogradit dhe Prishtinës së më shpejt për të folur për hapat konkret përpara”, nënvizoi ajo.

Sipas saj, dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve është “domosdoshmëri për të lëvizur përpara” në atë drejtim.

“Tani është koha për riangazhim”, ka shkruar Kallas në llogarinë e saj, në platformën X.

Kallas tha se është "thellësisht e përkushtuar" për t'i inkurajuar të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që të shfrytëzojnë "me të vërtetë momentumin aktual që kemi në procesin e zgjerimit".

“Po, ky proces ka qenë në zhvillim prej mjaft kohësh, por gjithmonë ekziston një moment politik, dhe ky moment politik është tani – Evropa e Bashkuar është një vizion për të cilin duhet të punojmë të gjithë", theksoi ajo.

Paratë nga BE-ja: Çfarë po ndodh me 900 milionë eurot e destinuara për Kosovën? Paratë nga BE-ja: Çfarë po ndodh me 900 milionë eurot e destinuara për Kosovën?
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:03:08 0:00

Kryediplomatja e BE-së do ta qëndrojë në Kosovë më 22 maj, në kuadër të turneut rajonal që e ka nisur më 21 maj, me vizitë në Serbi.

Gjatë vizitës në Beograd, Kallas është takuar në natën e së mërkurës me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se vendi i tij “mbetet partner i besueshëm për të gjithë që sinqerisht duan bashkëpunim, përparim dhe një të ardhme të përbashkët evropiane”.

Presidenti i Serbisë ka pohuar, në një postim në llogarinë e tij, në rrjetin social Instagram, se me Kallasin ka biseduar për çështje kyç gjeopolitike, për situatën e sigurisë në rajon, për rrugën evropiane të Serbisë dhe për dialogun me Kosovën.

Ai ka thënë se Kallasit i ka theksuar se “Serbia është e vendosur për dialog konstruktiv me ndërmjetësimin e BE-së, si mënyrë për zgjidhjen e çështjeve të hapura, dhe se mbrojtja e serbëve në Kosovë është prioriteti ynë absolut”.

Vuçiq ka thënë se ia ka kujtuar kryediplomates së BE-së se “Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk është vetëm obligim për të cilin jemi marrë vesh, për edhe një parakusht për përparim të mëtejmë në dialog, dhe për çfarëdo normalizimi marrëdhëniesh”.

Ajo u takua edhe me kryeministrin Gjuro Macut, si dhe ministrin e Jashtëm, Marko Gjuriq, atë për Integrime Evropiane, Nemanja Staroviq, dhe kryetaren e Kuvendit, Ana Bërnabiq, dhe grupet parlamentare opozitare.

Për vizitën e Vuçiqit në Moskë

E pyetur nga gazetarët nëse kishte biseduar me presidentin Vuçiq për vizitën e tij në Moskë më 9 maj, Kallas tha se kishte shprehur qëndrimin e saj, i cili është "shumë i qartë".

“Nuk e kuptoj pse është e rëndësishme të qëndrosh krah për krah me dikë që po udhëheq një luftë të tmerrshme në Ukrainë”, shtoi ajo.

Ajo përsëriti se Bashkimi Evropian pret nga vendet kandidate që të harmonizohen me politikën e tij të jashtme.

“A dëshironi të jeni me ne? Nëse po, atëherë do të punojmë së bashku dhe kjo është ajo që presim nga vendet kandidate”, theksoi ajo.

Pas vizitës në Beograd, Kallas udhëtoi drejt Prishtinës

“Në Kosovë, përfaqësuesja e Lartë Kallas do të takohet me përfaqësues të partive politike dhe të organizatave të shoqërisë civile”, ka bërë të ditur BE-ja.

Para takimit me ta, shefja e diplomacisë evropiane ka planifikuar të mbajë një konferencë për media, në Prishtinë, në pasditen e së enjtes.

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, tha për Radion Evropa e Lirë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do ta presë Kallasin sonte në mbrëmje për një darkë pune.

"Ky takim do të jetë një mundësi e mirë për të diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Republikës sonë dhe Bashkimit Evropian si dhe temat me interes të përbashkët", tha ai.

Kallas po e viziton Kosovën në kohën kur autoritetet kosovare po përsërisin thirrjet për heqjen e masave ndaj vendit nga ana e BE-së, madje kanë kërkuar që kjo të ndodhë para vazhdimit të dialogut me Serbinë, të cilin BE-ja e ndërmjetëson.

BE-ja, në anën tjetër, ka kërkuar shtensionim situate në Kosovë, teksa Kosova po vazhdon membylljen e institucioneve paralele serbe në veri të vendit, gjë që ka nxitur reagimin e Brukselit.

Në Prishtinë, Kallas pritet të vizitojë edhe Misionin e BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), si dhe komandantin e misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR, Enrico Barduani.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG