Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 3 dhjetor do të zhvillojnë takime të ndara me shefen e re të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.
Takimet e ndara në Bruksel nuk do të zhvillohen në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, proces që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Takimet e ndara të Kallasit me Kurtin dhe Vuçiqin u konfirmuan nga zëdhënësja e BE-së për politikë të jashtme, Anita Hipper.
Kallas tani pasi ka marrë mandatin duhet të vendosë se si të vazhdohet me procesin e dialogut, i cili ka nisur më 2011.
Kurti dhe Vuçiq në Bruksel do të zhvillojnë edhe takime të ndara me presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Kosta. Më vonë ata do të marrin pjesë në një darkë joformale që Kosta do të organizojë me të gjithë udhëheqësit e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Ditëve të fundit, Kurti dhe Vuçiq kanë këmbyer akuza për sulmin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok. Kosova e fajëson Serbinë për sulmin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. Serbia mohon se qëndron prapa sulmit dhe ka thënë se ka nisur hetimet e veta për këtë rast.
Hipper në një konferencë për media më 2 dhjetor u është përgjigjur pyetjeve lidhur me këtë sulm.
Ajo përsëriti qëndrimin që BE-ja shprehu një ditë pas sulmit në Varragë të Zubin Potokut, duke e cilësuar sulmin si terrorist ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës dhe ftoi të gjithë që të bashkëpunojnë me autoritetet e Kosovës për të zbuluar kryesit e sulmit dhe që ata të përballen me drejtësinë.
Autoritetet e Kosovës deri më tani kanë arrestuar disa persona të dyshuar për këtë rast dhe kanë sekuestruar armë dhe pajisje të tjera ushtarake gjatë operacioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Sulmi ka ndodhur në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit.
Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Sulmi në Zubin Potok është dënuar ashpër nga faktori ndërkombëtar.