Ndërlidhjet

Kallas: Shkëputja e Baltikut nga rrjeti energjetik rus, fitore për lirinë


Shefja për diplomaci e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas. Fotografi nga arkivi.
Shefja për diplomaci e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas. Fotografi nga arkivi.

Shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha se shkëputja e shteteve baltike, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë nga rrjeti i energjisë energjetike i Rusisë është një “fitore për lirinë”.

Të tri shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s pritet që të shtunën, më 8 shkurt, të shkëpusin lidhjet e energjisë elektrike me Moskën, në një lëvizje politike tri dekada pasi këto vende u çliruan nga sundimi i Kremlinit.

“Rusia më nuk mund ta përdorë energjinë si mjet për shantazh”, tha Kallas, ish-kryeministre e Estonisë.

“Kjo është fitore për lirinë dhe unitetin evropian”.

Shtetet e Baltikut për vite me radhë janë përgatitur që të shkëputen nga rrjeti elektrik i epokës sovjetike dhe të integrohen në rrjetin evropian, por janë përballur me probleme teknologjike dhe financiare.

Shkëputja nga rrjeti energjetik rus u bë më urgjente pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022, gjë që nxiti frikë në mesin e shteteve të Baltikut se ata mund të ishin shënjestra e radhës.

Pas nisjes së pushtimit, ata ndaluan së bleri gaz dhe energji ruse, por rrjetet energjetike të tri shteteve vazhduan të ishin të lidhura me Rusinë dhe Bjellorusinë, e të kontrolluara nga Moska.

BE-ja në përgjithësi ka ulur në mënyrë drastike konsumimin e energjisë ruse, që kur nisi lufta në Ukrainë.

Të shtunën, kur zyrtarisht tri shtetet baltike të shkëputen nga rrjeti rus, pritet të ketë festime zyrtare për këtë ngjarje edhe pse disa konsumatorë janë të shqetësuar se mund të ketë ndërprerje të furnizimit.

Letonia do të ndërpresë fizikisht linjën elektrike me Rusinë të shtunën dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të marrë pjesë në një ceremoni me udhëheqësit e Baltikut që do të mbahet në Lituani po atë ditë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG