Ndërlidhjet

Hargreaves, thirrje KQZ-së: Respektoni ligjin, jo interesat politike


Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, kërkoi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të respektojë procedurat ligjore në rastin e certifikimit të Listës Serbe.

“I bëj thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës që të sigurojë se procesi zgjedhor të kryhet me integritet dhe bazuar në procedura të drejta ligjore, e jo mbi interesa politike”, shkroi Hargreaves.

Më 23 dhjetor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e certifikoi Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve në Kosovë – për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Përfaqësues të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), dolën kundër certifikimit të kësaj partie - e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar - duke përmendur që kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe atij nuk i referohet me emrin zyrtar, por si "Kosova dhe Metohia".

Në reagimin e tij, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Hargreaves, kërkoi nga KQZ-ja dhe anëtarët e saj që të jenë gjithëpërfshirës dhe transparent.

“Presim që KQZ-ja dhe të gjithë anëtarët e saj të vlerësojnë certifikimin e Listës Serbe sipas zbatimit gjithëpërfshirës, transparent dhe të qëndrueshëm të rregulloreve përkatëse”, tha Hargreaves.

Lista Serbe e ka konsideruar vendimin si të kundërligjshëm.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka pretenduar të hënën se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po tenton “të eliminojë kundërshtarin e vetëm” në Kosovë, Listën Serbe.

Më vonë, Vuçiq ka thënë se ka biseduar edhe me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, për ato që i ka konsideruar shkelje të ligjit ndërkombëtar nga ana e Prishtinës, duke ia pamundësuar Listës Serbe pjesëmarrjen në zgjedhje.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG