Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, kërkoi përparim në dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se aktualisht nuk ka shumë progres në procesin që ndërmjetësohet nga blloku evropian.
Këto deklarata ai i bëri më 18 tetor, pasi mori pjesë në një diskutim në Prishtinë lidhur me Procesin e Berlinit.
“Pritshmëritë tona janë që palët e interesuara që duan të lëvizin, flasin me njëra-tjetrën, dhe kanë vullnet politik për të arritur progres, sepse për momentin nuk ka shumë përparim në dialog. E di që ka zgjedhje, por ne gjithmonë kemi zgjedhje diku. Për qytetarët e rajonit, dhe veçanërisht të Kosovës dhe Serbisë, është e rëndësishme që të ketë lëvizje, që ne të ecim përpara”, tha ai, pasi u pyet që të komentojë rundin e ri të dialogut.
Javën e ardhshme, më 24 tetor, në Bruksel do të mbahen rundi i ri i dialogut në nivel të kryenegociatorëve. Megjithatë, ende nuk dihet nëse do të ketë një takim trepalësh.
“Jam i sigurt se [emisari evropian, Mirosllav] Lajçak dhe ekipi i ri në Komision duan përparim, dhe në fund qëllimi përfundimtar është anëtarësimi i Kosovës dhe Serbisë në BE, të dyja dhe të gjithë e dinë se kjo mund të arrihet vetëm nëse kemi normalizim dhe pa normalizim nuk ka anëtarësim të mundshëm” në BE, tha ambasadori gjerman në Kosovë.
Në BE, por edhe në NATO gjithnjë e më shumë po shprehin pakënaqësi lidhur me rrjedhën aktuale të dialogut, duke thënë se procesi nuk po prodhon rezultatet e pritura.
Emisari evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka mandat në këtë post deri në fund të muajit janar të vitit 2025. Ndërkaq, në BE presin të shohin se çfarë qasje rreth dialogut do të ketë përfaqësuesja e e re e lartë për politikë të jashtme, Kaja Kallas, pasi ajo të marrë mandatin. Mandati i saj do të nisë kur të jetë gati i tërë ekipi i ri i Komisionit Evropian, pasi të konfirmohet nga Parlamenti Evropian.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se pret dinamikë të re nga Komisioni Evropian, sa i përket dialogut.