Kush është James Rubin?
Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, i pari që hapi dëshminë e mbrojtjes për ish-eprorët e UÇK-së në Hagë, është një diplomat dhe ekspert i njohur amerikan me mbi 35 vjet përvojë në politikën e jashtme.
Në vitin 1999, ai ishte i angazhuar si negociator i posaçëm për të siguruar çmobilizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në rolin e dëshmitarit, ai u thirr nga ekipi mbrojtës i Hashim Thaçit, ish-udhëheqës politik i UÇK-së.
Thaçi vepronte kryesisht si udhëheqës politik, pa kompetenca për vendime ushtarake brenda UÇK-së, dhe duhej të merrte miratimin e komandantëve për çdo vendim të rëndësishëm ushtarak, tha Rubin gjatë dëshmisë.
Mbrojtja e të akuzuarve i tha Radios Evropa e Lirë se lista e atyre që do të dëshmojnë në anën e tyre është konfidenciale.
Në media, megjithatë, qarkulluan disa emra - në mesin e tyre: Wesley Clark, William Walker, Bernard Kouchner e të tjerë.
Të njëjtit u përmendën edhe në një listë që zbuloi mbrojtja në vitin 2022.
Si u prit në Kosovë dëshmia e Rubinit?
Dëshmia e ish-diplomatit të lartë amerikan për mbrojtjen e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të hënën para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, u pa si e rëndësishme dhe vendimtare në favor të mbrojtjes së ish-eprorëve të UÇK-së.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se “kjo është një dëshmi e qartë, e bazuar në fakte të pakontestueshme, për drejtësinë e luftës sonë çlirimtare, për qëllimet e saj dhe përpjekjet e çlirimtarëve tanë për paqe e liri, duke hedhur poshtë të gjitha akuzat e Prokurorisë ndaj tyre”.
Analisti politik, Agon Maliqi, shkroi në Facebook se dëshmia e Rubinit “është dokument jashtëzakonisht i rëndësishëm historik që i përmbys shumë narracione propagandistike”.
“Ai e çmonton argumentin kryesor të prokurorisë, e të cilin e di çdo njeri në Kosovë me sens arsyeje, se UÇK ka pasur strukturë qendrore të konsoliduar apo dhe të aftë për të udhëzuar dhunë dhe krime në mënyrë sistematike”, theksoi Maliqi.
Për drejtorin e Institutit Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), Lulëzim Peci, dëshmia e Rubinit si dëshmitar i mbrojtjes të ish-presidentit Thaçi, nuk ishte “vetëm një dëshmi e thjeshtë gjyqësore!”
“Kjo dëshmi është edhe një ligjëratë publike e dorës së parë për historinë moderne të Kosovës, lidershipin vizionar të shqiptarëve, luftën e UÇK-se dhe rrugëtimin e saj drejtë pavarësisë!” shkroi Peci në Facebook.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në një postim në Facebook, tha se ndihet mirënjohëse dhe falënderuese për praninë dhe gatishmërinë e Rubinit për të dëshmuar në Dhomat e Specializuara në Hagë.
“Dëshmia e tij e qartë, e drejtë dhe e bazuar në të vërtetën, është një dëshmi tjetër e mbështetjes së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën, në veçanti gjatë luftës sonë çlirimtare dhe në mbrojtje të vlerave të UÇK-së”, tha ajo.
Dëshmia e mbrojtjes: Çfarë ndodhi në ditën e parë?
James Rubin hapi dëshminë e mbrojtjes për ish-eprorët e UÇK-së në Hagë më 15 shtator.
Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit ishte i ftuar nga ekipi i Hashim Thaçit, ish-udhëheqës politik i UÇK-së.
Gjatë dëshmisë së tij, Rubin theksoi se Thaçi kishte kryesisht rol politik dhe se nuk kishte kompetenca për vendime ushtarake brenda UÇK-së.
Ai tha se Thaçi duhej të merrte miratimin e komandantëve për çdo vendim të rëndësishëm ushtarak.
Ai, gjithashtu, deklaroi se nuk kishte asnjë informacion që lidh Thaçin ose të akuzuarin tjetër, Jakup Krasniqi, me pretendimet për vrasje apo ekzekutime.
Përshëndetje të nderuar lexues të Radios Evropa e Lirë,
Po e nisim mbulimin tonë të drejtpërdrejtë të ditës së dytë të dëshmisë së mbrojtjes në gjykimin e katër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) - Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi - para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Ata po gjykohen në atë që njihet edhe si Gjykata Speciale, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit - akuza që ata i kanë mohuar plotësisht.
Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, do të vazhdojë sot dëshminë e mbrojtjes për ish-eprorët e UÇK-së në Hagë.
Qëndroni me ne!