Rubin: Fillimisht e përshkruam UÇK-në si terroriste
Gjatë dëshmisë së tij, James Rubin tha se përshtypja fillestare e SHBA-së për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ishte më ndryshe.
“Ndoshta ne shkelëm dëshirën tonë që të ishim në anën e engjujve gjithmonë. Ne fillimisht e përshkruanim si organizatë me aktivitete terroriste, dhe ne, sigurisht, me gjithë dëshirën që kishim të ishim në anën e engjëjve, nuk donim të mbështesnim njerëz që zhvillonin aktivitete terroriste", tha Rubin.
"Ky qëndrim ndryshoi, sidomos pasi UÇK-ja u pajtua me Marrëveshjen e Rambujesë", u shpreh ai.
Rubin përsëriti përgjigjen e djeshme se ka pasur shumë pretendime e akuza, për krime lufte nga pjesëtarë të UÇK-së, por se SHBA-ja nuk arriti t’i vërtetonte ato.
Rubin: Nuk më kujtohet nëse Krasniqi e Veseli ishin pjesë e delegacionit në Rambuje
Në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale, James Rubin iu përgjigj pyetjeve të Prokurorisë në lidhje me një dokument ku thuhej se Adem Demaçi përshkruante Hashim Thaçin si zëdhënës të UÇK-së.
Rubin tha se nuk kishte informacione për këto dallime të vogla brenda UÇK-së.
I pyetur nëse kishte takuar Jakup Krasniqin në kohën e luftës, Rubin tha se nuk mendoj që po, teksa shtoi se nuk i kujtohet nëse Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli ishin pjesë e delegacionit shqiptar në Rambuje.
“Nuk më kujtohen të gjithë emrat, sepse kjo ka ndodhur para 25 vjetësh”, tha Rubin.
Rubin kthehet në bankën e dëshmitarëve
Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin, ka nisur pesë minuta para orës 10 vazhdimin e dëshmisë para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Ai është thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit dhe po merret në pyetje nga Prokuroria.
Dëshmia e Rubinit pritet të përfundojë sot.
Akuzat ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit
Për çfarë akuzohen Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi? Aktakuza u ngarkon atyre përgjegjësi për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.
Këto krime dyshohet se ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme të Kosovës, si dhe në veri të Shqipërisë.
Sipas aktakuzës, viktimat përfshinin persona të dyshuar se ishin kundër UÇK-së dhe më vonë Qeverisë së përkohshme të Kosovës - në mesin e tyre: anëtarë të komuniteteve serbe, rome dhe ashkali, katolikë, civilë të dyshuar për bashkëpunim me autoritetet serbe, si dhe shqiptarë që mbështetën parti të tjera ose nuk iu bashkuan UÇK-së.
Dhomat e Specializuara theksojnë se Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbajnë përgjegjësi penale personale për këto krime.
Të katër të akuzuarit e mohojnë fajësinë.
Mbrojtja thotë se aktakuza bazohet në një keqinterpretim selektiv të incidenteve.