Ndërlidhjet

Rebelët Huthi thonë se Izraeli ka kryer sulme në Jemen


Sulme izraelite në Sana të Jemenit më 24 gusht 2025.
Sulme izraelite në Sana të Jemenit më 24 gusht 2025.

Rebelët jemenas Huthi thanë se Izraeli ka kryer sulme të rënda ajrore në kryeqytetin e Jemenit, Sana dhe në një provincë tjetër.

Të paktën nëntë persona u vranë dhe më shumë se 100 të tjerë u plagosën nga sulmet ajrore izraelite në Sana dhe në provincën Javf, thanë rebelët përmes një deklarate.

Anees al-Asbahi, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë të udhëhequr nga rebelët, dhe zëdhënësi ushtarak, Yahya Saree, konfirmuan sulmet e 10 shtatorit.

Izraeli ende nuk ka reaguar për këto raportime.

Izraeli edhe në të kaluarën ka kryer sulme në përgjigje të sulmeve të kryera nga rebelët jemenas, Huthi – të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara – me raketa dhe dronë drejt Izraelit.

Rebelët Huthi mbështeten nga Irani. Ky grup jemenas, mbështet Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – dhe palestinezët në Rripin e Gazës.

Që kur ka nisur lufta në Gazë në tetor të vitit 2023, rebelët jemenas kanë gjuajtur raketa dhe dronë drejt Izraelit, por edhe kanë sulmuar anije në Detin e Kuq.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG