Ndërlidhjet

Izraeli nuk e kundërshton një marrëveshje “të mirë” bërthamore me Iranin


Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett.
Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett.

Kryeministri izraelit, Naftali Bennett tha se nuk kundërshton një marrëveshje “të mirë” bërthamore ndërmjet Iranit dhe fuqive botërore, edhe pse shprehu skepticizmin e tij se bisedimet, që rinisën këtë javë në Vjenë, do të mund të sjellin një rezultat të tillë.

“Në fund të ditës, patjetër që mund të arrihet një marrëveshje e mirë”, tha Bennet për një radio izraelite.

“Por, në këtë moment, në këto rrethana a pritet që një gjë e tillë të ndodhë? Jo, sepse kërkohet një qëndrim më i ashpër”, shtoi ai.

Izraeli nuk është pjesë e bisedimeve që po mbahen në Vjenë e që kanë për qëllim ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 ndërmjet Iranit dhe fuqive botërore. Ky shtet ka kundërshtuar këtë marrëveshje, pasi ka thënë se nuk ka qenë aq e fortë për ta frenuar aktivitetin bërthamor të Teheranit.

Rundi i tetë i bisedimeve për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore nisi më 27 dhjetor në Vjenë.

Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga kjo marrëveshje më 2018 dhe rivendosën sanksione ndaj Republikës Islamike.

Irani, që pretendon se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime civile, që prej tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshja, gradualisht ka nisur të shkelë parimet e marrëveshjes, duke pasuruar uraniumin përtej kufizimeve të lejuara në paktin bërthamor.

Teherani ka thënë se rundi i tetë i bisedimeve duhet të fokusohet në heqjen e sanksioneve amerikane dhe të marrë “garanci” se Uashingtoni, që në këto bisedime merr pjesë në mënyrë indirekte, t’i ribashkohet marrëveshjes.

Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 kishte për qëllim kufizimin e programit bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG