Ndërlidhjet

Izraeli thotë se e ka vrarë zyrtarin që pritej të bëhej udhëheqës i Hezbollahut


Hashem Safieddine, që gjerësisht besohej se do të bëhej udhëheqësi i ri i Hezbollahut.
Hashem Safieddine, që gjerësisht besohej se do të bëhej udhëheqësi i ri i Hezbollahut.

Izraeli tha se në një nga sulmet ajrore që ka kryer në periferi të Bejrutit më herët gjatë këtij muaji është vrarë një zyrtar i Hezbollahut – grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e Libanit jugor – që gjerësisht pritej të zëvendësonte udhëheqësin e kamotshëm të grupit, Hassan Nasrallah, i cili u vra gjatë një sulmi izraelit muajin e kaluar.

Nuk ka pasur një konfirmim të menjëhershëm nga Hezbollahu lidhur me fatin e Hashem Safieddine, një klerik i fuqishëm i cili pritej të zëvendësonte Nasrallahun në krye të grupit.

Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka futur në listën e tij të zezë krahun ushtarak, por jo dhe partinë politike të grupit. Partia e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.

Safieddine u vra në fillim të tetorit gjatë një sulmi që la të vrarë edhe 25 udhëheqës të tjerë të Hezbollahut, tha Izraeli.

Izraeli muajve të fundit ka vrarë shumë udhëheqës të lartë të Hezbollahut gjatë sulmeve që ka kryer në jug të Libanit, duke shkaktuar kaos në këtë grup.

Javën e kaluar, Izraeli vrau edhe Yahya Sinwarin, udhëheqësin e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – gjatë një operacioni në Gazë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, që qëndroi në Izrael të martën kur u takua me udhëheqësit shtetërorë, tha se duhet të “kapitalizohet” vdekja e Sinwarit si një mundësi për t’i dhënë fund luftës në Gazë dhe për të arritur lirimin e pengjeve që u morën gjatë sulmit të 7 tetorit të vitit të kaluar të kryer nga Hamasi në jug të Izraelit, sulm që nxiti luftën. Kryediplomati amerikan po ashtu kërkoi që Izraeli të bëjë më shumë për të ndihmuar në rritjen e dërgesave humanitare për palestinezët.

Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi vrau afër 1.200 persona dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë gjatë sulmit të 7 tetorit të vitit të kaluar. Që atëherë, si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 42.000 palestinezë.

Që kur ka nisur lufta në Gazë, Izraeli dhe Hezbollahu kanë këmbyer zjarr në kufi. Por, në fillim të tetorit situata u përshkallëzua dhe Izraeli njoftoi për nisjen e një operacioni tokësor në jug të Libanit kundër Hezbollahut.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG