Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka marrë vendim të premten që vendet e Bashkimit Evropian mund t’i përshpejtojnë refuzimet e kërkesave të azilit për personat që janë nga vendet që konsiderohen të "sigurta", por vetëm nëse ky përcaktim përmbush standardet strikte ligjore, dhe u mundëson aplikantëve dhe gjykatave të kenë qasje dhe t’i kundërshtojnë provat mbështetëse.
Në lëndën para gjykatës së BE-së përfshihen rastet e dy shtetasve të Bangladeshit, të cilët janë shpëtuar në det nga autoritetet italiane dhe janë transferuar në një qendër ndalimi në Shqipëri, nën protokollin e dakorduar mes Italisë dhe Shqipërisë.
Rasti ka përfunduar në gjykatë pasi kërkesat e këtyre dy azilkërkuesve janë refuzuar, bazuar në përcaktimin e Italisë se Bangladeshi është shtet i “sigurt".
Kushti i dytë i gjykatës parasheh që një shtet i origjinës mund të përcaktohet i “sigurt” nëse ofron mbrojtje adekuate për gjithë popullsinë, përfshirë minoritetet.
Në kuadër të përpjekjeve të Qeverisë së krahut të djathtë në Romë për të përshpejtuar procesimin e kërkesave të azilkërkuesve, dhe për të zvogëluar numrin e atyre që mund të hyjnë në shtet, Italia e ka përpiluar një listë të shteteve që i konsideron të sigurta për migrantët dhe të cilët, sipas saj, nuk kanë të drejtë ligjore për të kërkuar mbrojtje ndërkombëtare.
Qeveria italiane synon t’i dërgojë migrantët nga shtetet e përcaktuara si të “sigurta” në një qendër ndalimi në Shqipëri, ku do të analizohen kërkesat për azil, përmes një procedure të përshpejtuar.
Një gjykatë italiane që është marrë me lëndën e dy shtetasve të Bangladeshit, ka kërkuar nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë të sqarojë nëse Qeveria italiane mund të përpilojë një listë të shteteve të “sigurta” dhe nëse Roma duhet t’i deklarojë burimet e veta mbi të cilat e ka shpallur një vend të "sigurt" dhe se çfarë kriteresh janë respektuar.
Teksa qasja e të djathtës ekstreme sa shkon e pëlqehet më shumë në bllokun evropian me 27 vende anëtare, shumë shtete të BE-së janë duke miratuar qasje më të ashpër ndaj migrimit.
Shumë kryeqytete evropiane janë duke shqyrtuar idenë që të krijohen qendra jashtë bllokut për azilkërkuesit të cilëve u është refuzuar azili, ose janë në proces.
Megjithatë, përpjekja e Italisë për t’i procesuar kërkesat dhe për t’i transportuar migrantët në Shqipëri është duke u përballur me një mori pengesash ligjore.
Zyra e kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, ka thënë të premten përmes një deklarate se vendimi i gjykatës së BE-së është “befasues” dhe “dobëson politikat për të luftuar imigrimin ilegal masiv dhe mbrojtjen e kufijve kombëtarë”.