Katër migrantë, që kishin shkuar në Shqipëri më 16 tetor nga Italia, janë kthyer mbrapsht në Itali, konfirmuan autoritetet shqiptare për Radion Evropa e Lirë.
Drejtori i portit të Shëngjinit, Sander Marashi, tha se migrantët që u larguan nga Shqipëria ishin dy të mitur dhe dy të tjerë që kishin probleme shëndetësore.
Një ditë më parë, anija italiane Libra, u ankorua në portin e Shëngjinit me 16 migrantë në bord, të cilët Shqipëria ka pranuar t’i strehojë.
Dhjetë migrantë ishin nga Balgladeshi dhe gjashtë nga Egjipti, të cilët ishin shpëtuar në det pas nisjes nga Libia.
Shqipëria dhe Italia nëntorin e vitit të kaluar kanë arritur marrëveshje për strehimin e migrantëve. Marrëveshja, që është kritikuar nga organizatatat për të drejtat e njeriut, parasheh që Shqipëria do të pranojë deri në 36.000 migrantë në vit, dhe aplikacionet e azilit të këtyre migrantëve do të procesohen në dy qendra në Shqipëri.
Marrëveshja pesëvjeçare është thënë se do t’i kushtojë Italisë 160 milionë euro në vit.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e ka përshkruar marrëveshjen me Shqipërinë si zgjidhje inovative për një problem afatgjatë.
Sipas marrëveshjes, procedurat për migrantët do të kryhen në dy qendra.
Qendra e parë në Shëngjin do të përdoret për procedura të identifikimit të migrantëve, ndërsa qendra e dytë, në Gjadër, rreth 20 kilometra larg portit, do të shpërbëjë për strehim të migrantëve derisa të procesohen kërkesat për azil.
Qendrat do të funksionojnë sipas ligjit italian, me staf italian të sigurisë, ndërsa gjyqtarët do t’i mbajnë seancat përmes video-lidhjes nga Roma.
Italia ka thënë se do të pranojë t’i strehojë migrantët që fitojnë azil. Ndërkaq, ata që nuk fitojnë azil do të dëbohen direkt nga Shqipëria.