Autoritetet në Serbi i kanë shqiptuar masën e paraburgimin prej një muaji shtetasit të Kosovës, Arbnor Spahiu, bëri të ditur avokati i tij, Arianit Koci.
"Arbnor Spahiut, ish-zyrtarit policor të Njësisë Speciale Operative [NJSO], pas dy ditësh ndalimi, sot i është caktuar masa e paraburgimit njëmujor në Serbi. Ky vendim është i padrejtë, i motivuar politikisht dhe pa asnjë provë apo bazë faktike", tha Koci.
Koci kërkoi angazhimin e shtetit të Kosovës, jo vetëm nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, "por, reagim të qartë dhe publik nga kryeministri [në detyrë Albin Kurti] dhe presidentja e vendit [Vjosa Osmani]".
Më herët gjatë ditës, Koci kishte njoftuar publikun se Spahiu, i ndaluar më 7 qershor në Serbi, ishte transferuar në Qendrën e Ndalimit në Kanjizhë drejt Suboticës.
Koci gjatë një prononcimi për gazetarë në Prishtinë tha se ka dorëzuar disa prova që, sipas tij, dëshmojnë pafajësinë e klientit, dhe shprehu besimin se ai do të lirohet së shpejti.
“Presim tash, brenda një ore a dy do ta kuptoj nëse prokurori do të kërkojë paraburgim për ish-policin apo do ta lirojë menjëherë”, deklaroi Koci.
Megjithatë, nga Prokuroria në Suboticë deklaruan për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se ai “ende nuk është sjellë tek ata për t'u marrë në pyetje” dhe se “është lënë në ndalim deri në 48 orë”.
Spahiu, i cili, sipas avokatit, është ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, u ndalua nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, gjatë kthimit të tij nga Austria me autobus.
Koci tha më herët gjatë 9 qershorit se ai ishte marrë në pyetje në lidhje me sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit 2023.
Më herët, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se Spahiu pritet të dalë sot para Gjykatës Themelore të Kikindës në Serbi.
Por, Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë konfirmoi nga kjo gjykatë se “nuk ka një rast të tillë”.
MPJD-ja tha, po ashtu, se “do të vazhdojë t’i ndjekë nga afër zhvillimet përmes kanaleve diplomatike përkatëse” dhe se “do t’i mbajë të informuara institucionet relevante dhe partnerët ndërkombëtarë për çdo informacion të ri të konfirmuar zyrtarisht”.